Politikë

Parkimet me pagesë në Durrës, Apeli Administrativ rrëzon kërkesën e këshilltarëve të opozitës

Në vendim, Gjykata përcakton se palët në proces mund t’i drejtohen “Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë”, për rekurs brenda 30 ditëve.

F.I
Parkimet me pagesë në Durrës, Apeli Administrativ rrëzon
FOTO ILUSTRUESE

DURRËS- Gjykata Administrative e Apelit Tiranë ka rrëzuar padinë e anëtarëve të Këshillit Bashkiak të opozitës, për tarifimin e parkimeve publike në qytetin e Durrësit. Vendimi i gjykatës është marrë muajin e kaluar, më datë 28 janar, ku argumentohet se nuk konstatohet shkelje të formës dhe procedurës, si dhe nuk cënohet interesi publik.

"Gjykata Administrative e Apelit vlerëson se pala e paditur (bashkia Durrës) nuk konstatohet se ka shkelje të formës dhe procedurës, të cilat të kenë ndikuar në nxjerrjen e aktit, si dhe nuk cënohet interesi publik me nxjerrjen e tij. Vendimi nr.66, datë 25.06.2024 është nxjerrë në përputhje me ligjin dhe është rezultat i një procesi të rregullt dhe transparent, ku janë respektuar të gjitha procedurat ligjore të konsultimit publik dhe miratimit nga Këshilli Bashkiak dhe ky akt normativ është i ligjshëm dhe i themeltë. Përfundimisht, pretendimet e palës paditëse, vlerësohen nga Gjykata Administrative e Apelit si të papërligjura, dhe gjykata vlerëson se padia e paraqitur nga pala paditëse është një padi e pabazuar në ligj dhe në prova, e për pasojë duhet të rrëzohet”,-thuhet në vendim.

Marrja e këtij vendimi nuk u mirëprit nga opozita dhe sipas tyre, çështja do trajtohet në Gjykatën e Lartë. Në vendim, gjykata përcakton se palët në proces mund t’i drejtohen “Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë”, për rekurs brenda 30 ditëve. Joni Myshketa, përfaqësues i grupit opozitar të krahut të Lulzim Bashës në Këshillin Bashkiak Durrës, u prononcua sot (14 shkurt) për mediat, në lidhje me këtë vendim, duke e cilësuar të padrejtë, në dëm të qytetarëve dhe se Bashkia e ndërmerrte për interesa politike.

Joni Myshketa: Nisur nga vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë në lidhje me padinë e bërë nga ana jonë si këshilltarë bashkiakë për tarifimin e parkimeve me pagesë nga ana e Bashkisë Durrës në zonat A dhe B të qytetit, padia u rrëzua nga gjykata. Megjithatë, ne gjykojmë, besojmë dhe do ta çojmë deri në fund nismën që kemi marrë, duke bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, si një e drejtë që buron nga ligji. Kjo është një çështje që prek drejtpërdrejt buxhetin e qytetarëve, ndaj do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për të siguruar që e drejta të shkojë deri në fund në kahun e duhur të peshores. Ju bëj me dije se kjo nuk bëhet për kredo politike apo për interesa të ngushta vetjake, por për një interes të përbashkët. Ndodhemi në një situatë ku rrugët janë të mbingarkuara, kemi rrethrrotullime çdo 50 metra, ngushtime të trotuareve dhe zënie abuzive të parkimeve, ndërsa strukturat mbikëqyrëse nuk marrin masa për lirimin e tyre. Gjykojmë se Bashkia Durrës, përpara se të kalojë në tarifimin e parkimeve me pagesë, ka detyrimin ligjor dhe moral ndaj qytetarëve durrsakë, të cilët kontribuojnë me djersën e tyre në buxhetin e bashkisë, që të sigurojë fillimisht alternativa optimale për parkimet e lira dhe më pas të aplikojë tarifimin për parkimet me pagesë.

Bashkia Durrës vitin e kaluar ka propozuar miratimin e zonave të administrimit të parkimit, të cilat do të jenë zona A & B, në të cilat parkimi i automjeteve në rrugë do të bëhet kundrejt pagesës, në varësi të periudhës së qëndrimit. Tarifat e propozuara për parkimin në rrugë me pagesë për zonën A do të jetë 100 lekë/ora dhe për zonën B do të jetë 40 lekë/ora.

Zona A përfshin vendndodhjet me ngarkesën më të madhe me ndërveprime intensive tregtare, financiare, institucionale apo sociale. Zona B përfshin zonat ku mbizotërojnë shkëmbimet tregtare, financiare, institucionale, me intensitet mesatar./ZËRI

Poll

MOS HUMB