TIRANË- Të gjithë në PD duket se e kanë frikë garën për Bashkinë e Tiranës, ndërsa kryedemokrati Sali Berisha tha se do të tentohet të gjendet një emër i gjithëpranuar në radhët e opozitës. I ftuar mbrëmjen e djeshme në studion e Opinion, Berisha u pyet për emrin e Ilir Alimehmetit, që sipas tij i plotëson të gjitha kushtet për të qenë një kandidat i opozitës së bashkuar. Pavarësisht se opozita pretendon se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, Berisha konfirmoi pjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme lokale për kryeqytetin.
"Do bëjmë gjithçka, do bashkëpunojmë me të gjitha grupet opozitare që të kemi një kandidat të përbashkët për Bashkinë Tiranë.
Ilir Alimehmeti në vlerësimin tim plotëson të gjitha kushtet për të kandiduar si kryetar Bashkie në Tiranë. Nëse gjendet një figurë konsensusi do jetë më e mira. Duhet një figurë që plotëson disa kushte.
Jemi të hapur. Por në Shqipëri ka farsa, jo zgjedhje. Ne nuk bojkotojmë por është farsë. Rama shndërroi në farsë sot procesin themelor të shtetit, formimin e qeverisë, qeverisë së tij.
Nuk e them unë, por e gjithë bota. Rama faktoi se është i gatshëm të marrë çdo vendim për të mos dorëzuar mandatin", tha Berisha.
Në mesin e emrave që deri tani janë përfolur por e kanë refuzuar kandidimin për Bashkinë e Tiranës, janë kreu i Mundësisë Agron Shehaj, si dhe deputetja Jorida Tabaku. Mbetet për t’u parë nëse opozita do të zgjedhë një emër surprizë përballë Ogerta Manastirliut, të cilës iu dha besimi i plotë nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste./ZËRI

