TIRANË- Pas publikimit të propozimit të PS-së për Reformën e re Territoriale, Partia Demokratike ka paraqitur variantin e saj për ndarjen e re administrative të vendit. Në draftin e bërë publik nga bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Luciano Boçi, PD-ja propozon një ndarje të territorit në 100 bashki dhe 6 rajone.
“Të nderuar deputetë, me miratimin e Kryetarit të PD-së dhe të Kryetarit të Grupit, ju përcjell listën e bashkive (100) të paraqitur në raport nga ekspertët tanë. Secili mund të bëjë më pas prononcimin e vet. Falënderime!”- thuhet në mesazhin e Boçit drejtuar deputetëve të PD-së.
Sipas variantit të propozuar nga opozita, vendi do të ndahej në gjashtë rajone:
1. Shkodër–Lezhë me 16 bashki,
2. Dibër–Kukës me 13 bashki,
3. Tiranë–Durrës me 15 bashki,
4. Elbasan–Korçë me 19 bashki,
5. Fier–Berat me 19 bashki
6. Vlorë–Gjirokastër me 18 bashki.
Në total, PD-ja propozon 39 bashki të reja, duke e çuar numrin nga 61, sipas reformës territoriale të vitit 2014, në 100 bashki.
Në rajonin Shkodër-Lezhë parashikohet shtimi i 8 bashkive: Velipojë, Drivast, Koplik, Bregu i Matës, Zadrimë, Orosh, Rubik dhe Mamurras.
Në rajonin Dibër-Kukës shtohen 6 bashki: Shishtavec, Bicaj, Maqellarë, Shupenzë, Kastriot dhe Lurë.
Në rajonin Tiranë-Durrës propozohet krijimi i 7 bashkive të reja: Petrelë, Kashar, Dajt, Arbanë, Ndroq, Sukth dhe Fushë-Krujë.
Në rajonin Elbasan-Korçë parashikohet shtimi i 6 bashkive: Bradashesh, Shpat, Voskopojë, Pojan, Leskovik dhe Mokër.
Në rajonin Fier-Berat propozohen 8 bashki të reja: Ardenicë, Krutje, Dushk, Mallakastër Fratar, Levan, Cakran, Otllak dhe Shpirag.
Ndërsa në rajonin Vlorë–Gjirokastër shtohen 4 bashki në Qarkun e Vlorës: Orikum, Amantia, Ksamil dhe Novoselë. Në Qarkun e Gjirokastrës nuk parashikohet ndryshim në numrin e bashkive.
Propozimi i PD-së vjen në kuadër të debatit për Reformën e re Territoriale, ndërsa tashmë në tryezë janë dy variante për mënyrën se si mund të riorganizohet harta administrative e vendit./ZËRI