Politikë

“T’u hapim rrugën të rinjve”/ Rama para drejtuesve të PS: Partia duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe shtetit

Kryeministri kërkoi gjithashtu një marrëdhënie të re mes qytetarëve dhe qeverisë, duke theksuar se Partia Socialiste duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe të shtetit, dhe jo qytetari e shteti në funksion të partisë.

l.k
“T’u hapim rrugën të rinjve”/ Rama para drejtuesve
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me drejtues të Partisë Socialiste, ku ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend dhe për protestat kundër qeverisë.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te roli i një force politike që ka qenë për një kohë të gjatë në pushtet, duke theksuar se kjo nuk duhet të përkthehet si pengesë për brezat e rinj apo forcat e reja politike. Sipas kryeministrit, hapja e rrugës për të rinjtë nuk lidhet vetëm me moshën, por edhe me mënyrën e të menduarit dhe qasjen ndaj qeverisjes. Ai deklaroi se forcat e reja nuk mund të konsiderohen automatikisht alternativa vetëm për faktin se nuk kanë qeverisur më parë.

Rama u shpreh se objektivi i qeverisë mbetet integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, modernizimi i mëtejshëm i vendit dhe forcimi i institucioneve, duke synuar një shtet që funksionon në mënyrë të barabartë për çdo qytetar. Kryeministri kërkoi gjithashtu një marrëdhënie të re mes qytetarëve dhe qeverisë, duke theksuar se Partia Socialiste duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe të shtetit, dhe jo qytetari e shteti në funksion të partisë.

“Të qëndrosh gjatë në pushtet nuk mund të nënkuptojë t’u zësh rrugën të rinjve dhe forcave të reja, por t’u hapësh atyre rrugën. T’u hapësh rrugën të rinjve nuk do të thotë t’ua dorëzosh Shqipërinë atyre që e shpallin veten forca të reja vetëm sepse nuk kanë qenë ende në pushtet. Do të thotë të hapësh partinë, të hapësh vendimmarrjen dhe të hapësh procesin e qeverisjes për njerëz të rinj, jo thjesht në moshë, por edhe në mendësi. Duam ta ngjisim Shqipërinë në Bashkimin Evropian, ta bëjmë të pakthyeshëm modernizimin e vendit, ta bëjmë të palëkundur pavarësinë e drejtësisë dhe t’i bëjmë institucionet tona të denja për çdo qytetar të këtij vendi, të afta të funksionojnë në mënyrë të barabartë për të gjithë, të fortë apo të dobët. Duam t’i japim jetë një marrëdhënieje të re mes qytetarit dhe qeverisë dhe ta vëmë partinë në dispozicion të qytetarit dhe të shtetit, jo qytetarin dhe shtetin në dispozicion të partisë.”- u shpreh ai.

Duke iu referuar historikut elektoral të PS-së, Rama tha se partia ka arritur nëntë fitore elektorale dhe vetëm një humbje, falë asaj që ai e cilësoi si një “makineri të pathyeshme elektorale”./ZËRI

Poll

MOS HUMB