Politikë

Përjashtimi i deputetëve të opozitës, reagon Berisha: U dëshmua trimëria e tyre!

Sali Berisha u shpreh se maxhoranca ishte e tmerruar nga revolta e opozitës dhe e qytetarëve.

k.m.
Përjashtimi i deputetëve të opozitës, reagon Berisha: U
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi vendimet e Sekretariatit të Etikës, që dënoi 24 deputetët e PD me përjashtim nga punimet e Kuvendit. Në fjalën e tij të përnatshme nga dritarja e banesës së tij, Berisha u shpreh se maxhoranca ishte e tmerruar nga revolta e opozitës dhe e qytetarëve. Sipas Berishës, me aktet që kryen, deputetët e opozitës treguan trimërinë e tyre.

"Mirënjohje ndaj jush guximtare dhe guximtarë të pamposhtur, misionarë të kauzës së drejtë të shqiptarëve. Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të parlamentit të fjalës së lirë, të cilët me fjalën e tyre frymëzojnë mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, ndriçojnë me dritën e së vërtetës mendjet e tyre dhe shpërndajnë terrin e hipokrizisë, terrin e demagogjisë, terrin e propagandës vulgare që regjimi diktatorial i bazuar në lidhjet me krimin, me drogën me vjedhjen e shqiptarëve shpërndan në mediat e tij çdo minutë, çdo orë në Shqipëri dhe mendjet e shqiptarëve. Miqtë e mi, beteja e pandalshme, beteja pa kthim ka filluar. Sot narkoregjimi njëlloj sikur të ishte Maduro i Venezuelës, i tmerruar nga revolta e deputetëve, i lebetitur nga 7 tetori që po afron mori masa ndëshkimore dhe përjashtoi për herë të parë në historinë 32 vjeçare pluralizëm, përjashtoi 24 deputetë nga përlamenti, ndër të cilët përjashtoi kryetarin e grupit parlamentar pasi ka burgosur zv.kryetarin, Sekretarin e Përgjithshëm të PD dhe 22 deputetë të tjerë. Këta anëtarë të organizatës kriminale të Edi Ramës, këta bashkëpunëtorë në krim, në vjedhje dhe trafiqe me atë që panë me sytë e tyre në oborrin e parlamentit e kuptuan se kjo betejë është betejë për jetë ose vdekje, është betejë për triumfin e demokracisë, ligjit dhe Kushtetutës. Ata e panë se shpresë për ta nuk ka më, se revolta popullore që po zien në të katërta anët e vendit do t’i fshijë dhe do t’i hedhë në koshin e plehrave të historisë, aty ku e kanë vendin si keqbërësit më të mëdhenj në historinë e kombit shqiptar. Ata mendojnë se duke zbrazur parlamentin do shpëtojnë nga ndëshkimi popullor, po ata harrojnë se sot me guximin, trimërinë e parlamentarëve të opozitës, janë qindra e mijëra shqiptarë të gatshëm të vërsulen kundër tyre, të gatshëm t’ju shpërblejnë urrejtjen dhe hakmarrjen e tyre, të gatshëm t’ju rezervojnë fundin që meritojnë,"-tha Berisha ndër të tjera në fjalën e tij.

Pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, opozita nisi aksionin kundër maxhorancës, duke paralajmëruar protestë (e cila do mbahet në datë 8 tetor) dhe mosbindje civile. Por aksioni nisi të hënën nga Kuvend me opozitën që shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren. Pas kësaj, deputetët e opozitës dolën jashtë sallës së Kuvendit, duke nxjerrë në oborr edhe të gjitha karriget e tyre, të cilave iu vendosën flakën. Deputeti Flamur Noka shkuli një nga mikrofonat në Kuvend dhe ky veprim e detyroi kryeparlamentaren Spiropali që ta përjashtonte nga seanca. Noka paralajmëroi se e njëjta situatë do të jetë në çdo seancë plenare. Por tashmë, si Noka e Bardhi, edhe 22 deputetët e tjerë janë të përjashtuar. Dënimin më të ulët e ka Edi Paloka, me10 ditë përjashtim. Përveç kësaj mase, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka dërguar emrat e deputetëve në SPAK, ku i akuzojnë për disa vepra penale./ZËRI

Poll

MOS HUMB