Politikë

Prej një viti në 'arrest shtëpie', Berisha kërkon lirinë, Gjykata Kushtetuese shtyn seancën, vendos të enjten

Në seancën që do të zhvillohet sot, togat e zeza të Gjykatës Kushtetuese do të vendosin për shfuqizimin e masës së sigurisë që SPAK dhe GJKKO kanë vendosur ndaj Berishës.

k.m.
Prej një viti në 'arrest shtëpie', Berisha kërkon
Sali Berisha

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për të enjten diskutimet për Sali Berishën, i cili kërkon shfuqizimin e masës së sigurisë arrest në shtëpi. Kreu i Partisë Demokratike kërkoi heqjen e masës së parë të caktuar ndaj tij nga SPAK, atë të "detyrim paraqitje". Këtë masë sigurie, Berisha nuk e respektoi kurrë, ndaj edhe u ashpërsua në “arrest shtëpie”.

“Shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”,”- thuhet në kërkesën e Sali Berishës.

Pse është Berisha në "Kushtetuese"?

Në tetor të vitit të shkuar, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi ndaj kryedemokratit masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Berisha kërkon heqjen e kësaj mase sigurie, kështu që seanca e parë në Kushtetuese do të jetë më datë 19 Nëntor 2024. Padia e bërë në Kushtetuese nga Sali Berisha u pranua disa ditë më parë nga trupa gjykuese. Në tetor të vitit të shkuar, GJKKO caktoi ndaj kreut të Partisë Demokratike masën "detyrim paraqitje", por duke qenë se kjo masë nuk u respektua nga Berisha, hetuesit kërkuan ashpërsimin e masës, duke e lënë liderin e opozitës në "arrest shtëpie". Berisha ndodhet nën arrest shtëpiak prej 30 Dhjetorit 2023 për shkak se akuzohet zyrtarisht për dosjen "Partizani".

Edhe pse Berisha ka ndjekur të gjitha shkallët e gjyqësorit për heqjen e masës së sigurisë, tashmë dosja ka kaluar edhe në Gjykatë Kushtetuese. Berisha pretendon se SPAK ka shkelur ligjin, pasi edhe për masën detyrim paraqitjeje që ai nuk e zbatoi në muajin Tetor 2023, duhet t’i drejtohej Kuvendit për miratim për shkak se po i pengohet ushtrimi i detyrës si deputet. Një vit më pas, SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv. Ngritja e akuzës nga SPAK mund të favorizojë lirimin e Berishës nga "arresti i shtëpisë" për shkak se një nga arsyet përse u "mbyll" në banesë kryedemokrati, ishte për të ndaluar ndërhyrjen e mundshme tek dëshmitarët. Duke qenë se tani, dosja do të dërgohet për gjykim, Kushtetuesja mund të vendosë për lirimin e Berishës./ZËRI

Poll

MOS HUMB