Politikë

“Procedura për mbylljen e TikTok ka përfunduar”, Rama-qytetarëve: VPN falas ju vjedh të dhënat e telefonit

Kreu i qeverisë u bëri thirrje qytetarëve që të mos përdorin VPN, pasi u rrezikohen të dhënat nga hakerat. 

F.I
“Procedura për mbylljen e TikTok ka përfunduar”,
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin se procedura për mbylljen e TikTok në telefonat SMART ka përfunduar. Rama ka paralajmëruar ata që po përdorin VPN-të falas për hapjen e rrjetit social. Kreu i qeverisë u bëri thirrje qytetarëve që të mos përdorin VPN, pasi u rrezikohen të dhënat nga hakerat. 

Edi Rama: Procedura për mbylljen e Tik Tok ka përfunduar për telefonat smart dhe nga ana tjetër, mënyra për t’ju shmangur bllokimit duke përdorur VPN falas është shumë e rrezikshme pasi dihet botërisht se hackerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit. Kijeni parasysh këtë gjë dhe duroni pa TikTok për ca kohë deri kur të përfundojmë programin e përbashkët me kompaninë, e cila do të vijë së shpejti në Shqipëri dhe do të paraqesë planin për adoleshentët.

Përdorimi i VPN

Pas lajmit për mbylljen e platformës Tik Tok, përdoruesit nisën që të kërkojnë alternativa për të siguruar lundrimin në aplikacion, duke kërkuar mundësi për të ndryshuar lokacionin e përdorimit. "Proton VPN", shërbim VPN i operuar nga një kompani zvicerane ka pasur një "boom" shkarkimesh në celularë. Sipas tyre, përdorimi i ProtonVPN në Shqipëri është rritur 1200% dhe ende nuk ka të ndalur. 

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare kërkoi zyrtarisht mbylljen e aksesit në platformën sociale "Tik Tok" deri më datë 13 mars, por mbyllja nuk ka ndodhur ende. Për mbylljen e aplikacionit do të bllokohen IP e Tik Tok në territorin e Shqipërisë, DNS e TikTok, SNI (Server Name Indications) të Tik Tok dhe IP e kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë. Gjithsesi mbyllja ende nuk ka ndoshur dhe shumica e përdoruesëve të Tik Tok, vijojnë të kenë akses në platformë.

Më shumë se dy muaj pas njoftimit, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për mbylljen e TikTok për 1 vit në Shqipëri. Brenda një jave apo 10 ditësh, shqiptarët nuk do të mund të aksesojnë më platformën “Tik Tok”. Vendimin e marrë e ka njoftuar Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave bëri me dije se për 12 muaj, “Tik Tok” nuk do të mund të funksionojë më brenda territorit të Shqipërisë.

Mbyllja e platformës u njoftua nga kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, pas një konsultimi publik. Shkak i nismës u bë vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, pasi një grup nxënësish u përfshinë në sherr me thika pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë më 18 nëntor 2024. Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB