Politikë

Programi ekonomik i PD/ Berisha  premton: Ulje nga 15 në 2% të taksës së shitjes së pronës

Sali Berisha tha se një nismë që do të ndërmarrë Partia Demokratike, është taksa për shitjen e shtëpive, që sipas tij do të bjerë nga 15% në 2%.

k.m.
Programi ekonomik i PD/ Berisha  premton: Ulje nga 15 në 2% të
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka bërë disa premtime nëse forca politike që ai drejton, fiton zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se një nismë që do të ndërmarrë Partia Demokratike, është taksa për shitjen e shtëpive, që sipas tij do të bjerë nga 15% në 2%. Po ashtu premtoi se do të ketë zero për biznesin e vogël.

"Të sigurojmë klimën më miqësore dhe kjo jo me fjalë, por me vepra, ligje, vendime konkrete. Në këtë kuadër, do të zbatohet tatimi 10% mbi të ardhurat nga puna, duke përjashtuar 50 mijë lekët e para. Tatimi 10% mbi të ardhura të tjera, jo nga paga. Zero taksim mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël. Tavani vjetor për tatim fitim, zero për biznesin e vogël, do të jetë 18 milionë lekë, apo 500 euro në ditë. Kufiri i përjashtimit nga TVSH do të jetë po ashtu në masën 18 mln lekë xhiro vjetore, apo 500 euro në ditë. Ulje nga 15 në 2 % të taksës së shitje së pronës dhe për këtë qëllim krijimi i kadastrës fiskale për përcaktimin e çmimeve të referencës,"-premtoi Berisha. Ndër të tjera, Berisha premtoi se studentët, profesionistët do të mbështeten çdo vit me grante 5-30 mijë euro për startupet që do të fillojnë, e po ashtu se do të hiqet barra e tatim fitimit për gratë që hapin një biznes.

Sipas tij, do të zotohet plotësisht për të mbajtur çdo fjalë të dhënë, duke synuar që Shqipëria të jetë e para në rajon për rrogat dhe pensionet.

"Pra unë mendoj se çdo shqiptar mjafton të rikujtojë premtimet kryesore dhe do të gjejë se, ato janë mbajtur. Ai buxhet është përdorur në mënyrën më të vendosur në interes të qytetarëve shqiptarë. Nëse shqiptarët, një prej tyre gjen një gjë madhore që unë nuk e kam mbajtur, le të ma thotë, por unë i kam mbajtur ato, por unë i kam mbajtur ato edhe i mbaj. Sepse do të ju them këtu, para se të bëj një premtim e mendoj jo 7, por 17 herë. Nuk bëj unë premtim kurrë pa e pas menduar mirë. Unë ju them tjetrën. Këto shifra që unë kam dhënë mund të ishin edhe pak më të larta, por unë kam dhënë shifrat e arsyeshme, sepse unë kam ndërmend të shkoj dhe më lart. Nuk ndalem deri sa të dalim në krye të rajonit me rrogat dhe pensionet. Atëherë mund të mos ketë nevojë për rritje kaq të mëdhaja, por indeksime dyfish,"-shtoi Berisha.

Nuk la pa komentuar edhe rolin e "shefit" të strategjisë së fushatës elektorale, Chris LaCivita. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thotë se strategu i fushatës së Donald Trump do të stacionojë së shpejti ekipin e tij në Tiranë.

"Chris LaCivita unë të garantoj që është në aktivitet të plotë dhe unë jam në komunikim vazhdueshëm me bashkë krye strategun e fitores më të shkëlqyer në historinë e njerëzimit që ishte fitorja e Donald Trump. Të vazhdueshëm, online. Shpejt përfaqësuesi i firmës do të stacionojë këtu me ekipin tonë, ai do të vijë, do të shkojë. Me një fjalë është në aktivitet të plotë. Unë nuk e di pse bëhet kjo pyetje. Ai nuk është oficer fushe, ai është Marshall, e kuptoni vetë,"-shtoi Berisha./ZËRI

Poll

MOS HUMB