TIRANË-Është prezantuar sot Programi Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Europian, ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. Rama deklaroi se do ta mbështesin rrugëtimin e bizneseve për të ardhmen, për transformimin në tregun e BE.
Edi Rama: Ne duam që në radhë të parë sipërmarrja e vogël dhe e mesme shqiptare të ketë sot shansin që nëse ka kapacitetin e kurajës së mjaftueshme, e idesë së qartë për të nesërmen dhe të vullnetit të domosdoshëm për ta çuar idenë përpara me kurajo të ketë mbështetjen tonë. Mbështetja jonë për këtë kategori është domethënëse, që do të materializohet në ditët e ardhme me hapjen e “Dyfisho ndërmarrjen tënde”. Në mbështetje të të gjithë atyre që do të duan të rriten më lartë, të rrisin volumin, të përgatiten për të mos u fshirë nga era e fortë e këtij transformimi i përfshirjes në tregun e BE.
Ministrja njoftoi se një paketë financiare prej 250 milionë eurosh do të vihet në dispozicion të sipërmarrjeve shqiptare për të lehtësuar marrjen e kredive dhe për të rritur investimet në sektorët me vlerë të shtuar. Ibrahimaj shtoi se programi synon përgatitjen e bizneseve për tregun, një objektiv që synon rreth 48 mijë ndërmarrje.
Delina Ibrahimaj: Është detyra jonë kryesore dhe më e rëndësishme që ne të maksimizojmë sa më shumë fitimet dhe të minimizojmë kostot. Ky program e vendos biznesin në qendër të procesit të integrimit. Investimet e huaja po rriten dhe po drejtohen drejt sektorëve me vlerë të shtuar më të lartë. Paralelisht ne jemi duke marrë një sërë reformash për mbështetjen e biznesit. Kemi zgjeruar aksesin në financa. 250 milionë eurosh për bizneset, që do i lejojë çdo biznesi që të marrë kredi. Objektivi ynë është të arrijmë 48 mijë ndërmarrje, të krijojmë rrjet ekspertësh, të ndërtojmë një platformë unike dixhitale për biznesin që do të përmbajë të gjitha programet e trajnimit dhe certifikimit.