Politikë

Programi qeverisës “Rama 4”/ 3 shtyllat që synojnë integrimin në BE, nga rritja e qëndrueshme ekonomike te mirëqenia

Programi qeverisës bazohet në tre shtylla, Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenia për të Gjithë.

E.K
Programi qeverisës “Rama 4”/ 3 shtyllat që synojnë
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama do të prezantojë të enjten programin e qeverisë, në seancën plenare, ku të gjithë deputetët do të kenë mundësi që të debatojnë nga 10 minuta. Seanca pritet që të jetë maratonë, për shkak të numrit mjaft të madh të deputetëve që do të kërkojnë fjalën.

Në programin e qeverisë Rama, që pritet të bëhet publik të enjten, janë të theksuara 3 shtylla, Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenie për të gjithë. Siç edhe e ka bërë publike gjatë fushatës kryeministri Edi Rama, fokusi i reformave do të jetë procesi i integrimit.

“Anëtarësimi nuk është vetëm objektiv diplomatik, por proces transformues që forcon shtetin e së drejtës, modernizon shtetin digjital, rrit integritetin e administratës, garanton sigurinë publike dhe kombëtare, dhe e vendos Shqipërinë në zemër të vendimmarrjes europiane”, thuhet në program.

Sa i përket rritjes ekonomike, objektivi i qeverisë janë financat e shëndosha, tatimet e ndershme dhe një klimë e mirë për biznesin. Sektorë strategjikë do të jenë turizmi, bujqësia, energjia e pastër dhe infrastruktura.

“Rritja Ekonomike e Qëndrueshme është shtylla e dytë dhe rruga që kthen vizionin në realitet. Shqipëria e re ndërtohet mbi financa të shëndosha dhe tatime të ndershme, mbi një klimë të parashikueshme për biznesin dhe mbi një treg pune që hap dyer për të rinjtë. Ajo ngrihet mbi turizmin që nuk njeh më sezone, mbi bujqësinë dhe fshatin që modernizohen me teknologji, mbi energjinë e pastër që na kthen në eksportues të së ardhmes së gjelbër dhe mbi inovacionin që u jep hapësirë brezave të rinj për të krijuar e për të konkurruar. Dhe mbi të gjitha, ajo shtyhet përpara nga një infrastrukturë moderne, porte, aeroporte, hekurudha dhe korridore rrugore, që lidh Shqipërinë me rajonin, Europën dhe botën, duke e bërë vendin tonë një nyje të re zhvillimi”, thuhet në program.

Objektivi i qeverisë së katër viteve të ardhshme është edhe kujdesi për fëmijët, arsimi modern, shëndetësia falas dhe e modernizuar, pensione dinjitoze dhe mbështetje sociale.

“Mirëqenia për të Gjithë është shtylla e tretë dhe kontrata jonë me qytetarët. Ajo është kujdesi për fëmijët e vegjël që rriten në çerdhe e kopshte më të mira, është arsimi që lidhet me jetën reale dhe me Europën, është shëndetësia falas e modernizuar, janë pensionet dinjitoze dhe shërbimet sociale që mbështesin ata që kanë nevojë. Është rinia që gjen punë dhe hapësira të reja, është sporti dhe kultura që gjallërojnë përditshmërinë, është mjedisi i mbrojtur dhe ekonomia e gjelbër që bëhen pjesë e zakoneve tona të përditshme”, thuhet në program.

Programi synon rritje ekonomike mesatare 4% në vit dhe rritjen e të ardhurave për frymë në 15 mijë euro deri më 2029. Do të vijojë konsolidimi fiskal, ulja e borxhit publik dhe ruajtja e politikës së taksës 0% për bizneset e vogla. Mbështetja për sipërmarrjen përfshin marrëveshje tatimore afatgjata dhe nxitje të startup-eve përmes teknoparkut “Durana Tech Park”. 

Në programin e siguruar nga ZËRI, qeveria parashikon gjithashtu një tjetër rritje të pagës minimale, nga 400 euro aktualisht do të bëet 500 euro në 2026. Në program thuhet se për 18 muajt e parë të aplikimit të kësaj rritjeje, nuk do të ketë asnjë taksë shtesë, duke nënkuptuar se shteti do të paguajë kontributet për diferencën mes 400 dhe 500 euro. Ndërkohë paga mesatare nga rreth 840 euro  që është parashikohet të arrij në 1000 euro në vitin 2030. Ndërsa për papunësine është parashikuar ulje e papunësisë së përgjithshme në 6% deri në 2030 nga 8.5% që është aktualisht. 

Investimet në infrastrukturë përfshijnë 700 km rrugë të reja, përfundimin e Korridorit Blu, modernizimin e hekurudhave dhe zgjerimin e rrjetit të internetit. Modernizimi i plotë i infrastrukturës rrugore, hekurudhorë, portuale, aeroportuale dhe digjitale deri në vitin 2030, parashikon që Shqipëria të shndërrohet në nyje kyçe të Ballkanit Perëndimor. 

Turizmi shihet si motor zhvillimi, duke u synuar transformimi i Shqipërisë në destinacion gjithëvjetor dhe zgjerimi i agroturizmit e ekoturizmit. Po ashtu, energjia, bujqësia dhe zhvillimi rural do të mbështeten me reforma strukturore dhe digjitalizim të shërbimeve.

Në arsim, qeveria parashikon 1000 laboratorë inteligjentë, fuqizimin e arsimit profesional dual dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare. Shëndetësia do të konsolidohet me rindërtimin e qendrave shëndetësore, transformimin e QSUT në qendër ekselence dhe shëndetësinë digjitale./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB