
TIRANË- Ministria e Pushtetit Vendor ka publikuar për konsultim publik projektligjin për administratimin e bashkëpronësisë në ndërtesa. Ky projektligj ndryshon të gjithë ligjin aktual. Sipas projektligjit të ri banorët që jetojnë në pallate duhet të paguajnë tarifën e administrimit të bashkëpronësisë. Nëse pronarët, nuk paguajnë në kohë detyrimet ata do të gjobiten me 30% të vlerës për çdo muaj vonesë.
Në nenin 3 të këtij ligji, thuhet se ai do të zbatohet në ndërtesat me dy ose më shumë pronarë që shërbejnë për banim, ose si njësi të tjera shërbimi.
“Ky ligj zbatohet për të gjitha ndërtesat me dy ose më shumë pronar, që shërbejnë për banim dhe/ose për përdorim të përzier si njësi shërbimi, tregtare, administrative që kanë në pronësi të përbashkët truallin, objekte, mjedisin ndihmës, në funksion dhe në përdorim, ekskluzivisht të pronarëve të njësive në ndërtesë”, thuhet në nenin 3.
Në nenin 5 sqarohet se çfarë nënkupton banesa apo ndërtimi në bashkëpronësi. Njësitë e bashkëpronësisë, regjistrimi dhe kadastrimi i tyre, deri në përmbajtje. Ndërsa në nenet 8, 9 dhe 10 shpjegohen të drejtat e pronarëve të njësive, bashkëpronësisë apo qiradhënës, si dhe detyrimet e tyre.
Në Nenin 13 sqarohen kriteret për ata që nuk e përdorin pronën, por kanë njëlloj detyrime me ata që e përdorin.
“Pronari i njësisë që nuk përdoret është i detyruar të kontribuojë për administrimin dhe mirëmbajtjen e pronës në bashkëpronësi njëlloj si bashkëpronarët e tjerë, përveçse kur vendoset ndryshe nga asambleja e bashkëpronarëve”, thuhet në Nenin nr. 13.
Në nenin 21 jepen kriteret e përzgjedhjes së Kryesisë dhe Administratorit, si dhe të drejtat që kanë ata.
Në Nenin 29 vijohet me përcaktimin e tarifave ndaj përdoruesve të banesave apo njësive.
“Tarifa e administrimit për secilin bashkëpronar, si rregull, përcaktohet bazuar në shpenzimet e administrimit dhe në kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi të pronarëve të njësive. Ajo mund të korrektohet për shpenzime të veçanta, për numrin e kateve dhe për masën e përdorimit të objekteve të veçanta”, thuhet ndër të tjera në draft.
Në rast se asambleja e bashkëpronarëve nuk gjen dakordësinë për përcaktimin e tarifës, do të zbatohet tarifa e referencës, e miratuar nga këshilli bashkiak përkatës, e ndarë sipas zonave dhe tipoligjisë së ndërtesës.
Por nëse pronari nuk paguan, atëhere ai do të penalizohet me 30% të tarifës për çdo muaj mumgesë. Ky vendim ka si synim të nxisë pronarët të respektojnë afatet e pagesës.
“Në rast të vonesës së pagesës nga ana e një bashkëpronari, vendoset një penalitet prej 30% të tarifës për çdo muaj vonesë. Penaliteti synon të nxisë bashkëpronarët të respektojnë afatet e pagesës, duke shmangur situata të mospagesës së administratorit/shoqërisë së administrimit që ndikojnë në tërësi në administrimin e objekteve. Penaliteti ndihmon në kompensimin e çdo humbjeje potenciale që vjen si pasojë e mosdisponueshmërisë së fondeve në kohën e duhur. Dhe nëse bashkëpronari nuk paguan tarifën dhe kamatat e prapambetura brenda tre muajve, kryesia e asamblesë së bashkëpronësisë bën një përllogaritje të vlerës së detyrimeve të papaguara, përfshirë tarifën dhe kamatëvonesat. Ky akt përmbledh vlerën e plotë të detyrimeve që ka bashkëpronari. Pagesa e detyrimeve monetare për tarifën e bashkëpronësisë përmes këtij drafti bëhet titull ekezekutiv, që do të thotë se ata qytetarë të cilët nuk paguajnë, do të përballen me përmbarimin”, thuhet në projektligj./ZËRI