TIRANË-Në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike u diskutuan ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore". Mbledhja u zhvillua mes debateve, ku një përplasje pati edhe mes kryetarit të komisionit, Ulsi Manja dhe deputetit të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i cili votoi kundër nenit 1 të projektligjit.
Diskutimet u zhvilluan mbi ndikimin që do të ketë në tokën bujqësore instalimi i impianteve eolike, ku sipas deputetit të PD, Oerd Bylykbashi, këto impiante kërkojnë shpim të tokës dhe vendosjen e një platforme të madhe betoni, që do të dëmtonte tokën. Mendimin e tij e mbështeti edhe socialisti Gjiknuri, i cili u largua nga mbledhja pasi kërkoi sqarim të mëtejshëm, por Manja kundërshtoi dhe hodhi për votim ligjin.
Edhe deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, kërkoi të vazhdonte me pyetjet mbi paqartësitë e ngritura, por u kundërshtua nga kryetari i komisionit. Në votimin për nenin 1 të projektligjit, Gjiknuri votoi kundër, duke iu bashkuar dy deputetëve të opozitës.
Debati:
Gent Strazimiri: Kam pyetje.
Ulsi Manja: U ezauruan.
Gent Strazimiri: Po unë s’kam mbaruar gjimnazin bujqësor. Kam pyetje për ty.
Ulsi Manja: Po.
Gent Strazimiri: Fakti që në projektligj kanë sjellë edhe shënimin “eolik”, ka një problem këtu. Është një instrument që jepet në dorë edhe të njerëzve të papërgjegjshëm në të ardhmen. Urgjenca që keni për këtë ligj do të thotë se po bëni dëm. Nuk po na lini të sqarohemi.
Ulsi Manja: Në rregull, e gjetët lepurin në ferrë ju të tre (Bylykbashi, Strazimiri dhe Gjiknuri).
Damian Gjiknuri: Një sekondë, sepse nuk u sqaruam, më jep fjalën.
Manja hedh për votim ligjin dhe e miraton, teksa votën e Gjiknurit e konsideron si abstenim.
Damian Gjiknuri: Do më jepni fjalën apo të largohem fare.
Ulsi Manja: Mund të ikësh, rri te abstenimi ti. Merru me Oerdin.
Damian Gjiknuri: Në rregull, po largohem.