Aktualitet

“Prokurori ka shkelur ligjin”, Veliaj flet nga burgu: Ols Dado i ofroi kokën time Sali Berishës

Veliaj u shpreh se prokurori Ols Dado ka shkelur Kodin e Procedurës Penale pasi ka regjistruar hetimin dhe arrestimin në të njëjtën ditë.

I.F
“Prokurori ka shkelur ligjin”, Veliaj flet nga burgu: Ols Dado i
Erion Veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku Erion Veliaj ka folur nga burgu për seancën paraprake gjyqësore të zhvilluar ndaj tij më 12 shkurt në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Veliaj u shpreh se prokurori Ols Dado ka shkelur Kodin e Procedurës Penale pasi ka regjistruar hetimin dhe arrestimin në të njëjtën ditë. Veliaj tha për “Top Channel” se në sallën e gjyqit, Dado e quajti atë “gënjeshtar patologjik” dhe “ndyrësirë”. Më tej, Veliaj shprehet se prokurori Dado i ofroi "kokën" e tij kryedemokratit Sali Berisha.

Nëse prokurori Olsi Dado ishte në konflikt interesi për të të hetuar ty, pse zgjodhe derisa të përballeshit në sallën e gjyqit për t’ia thënë këtë konflikt? Mendove se do ta intimidoje në sallën e gjyqit? Ia plotësove kërkesën dhe mendove se kjo do të lehtësonte? Pse reagove vetëm në sallën e gjyqit?

“Dita e gjyqit ishte edhe dita e fillimit të hetimeve, absurde apo jo? Pra, gjer në atë ditë, prokurori shpenzoi një vit e gjysmë duke bërë “ca verifikime”; pra, një hile për të bërë hetim për Nesti Angonin – që nuk ekziston – pa e regjistruar kurrë emrin në regjistër.

Po të shikosh të ashtuquajturin kallëzim, që të ftoj ta gjesh e ta publikosh, do çuditet i madh e i vogël se në bazë të kësaj letre bakalli, kryetarit të Bashkisë më të madhe në vend i ka kaluar e gjithë jeta e tij, nga rinia e deri më sot, jo në një skaner, por në një MRI.

Po kështu, nga zelli i madh, prokurori ka shkelur ligjin, Kodin e Procedurës Penale dhe çdo normë tjetër ligjore, duke regjistruar hetimin dhe porositur arrestin në të njëjtën ditë. Imagjino zellin e madh, kur ashtu siç njoftonin me sms e telefonata familjen time ditë të shtunë, po kështu vendosën burgosjen time në ditë të dielë.

Pas shumë peripecive, brenda Prokurorisë së Posaçme, ku gjenden plot zonja e zotërinj me integritet dhe profesionalizëm, më në fund arritën të gjejnë një prokuror për të kryer ekzekutimin tim politik.

Pas 3 ditëve në izolim total, mundësia e parë për t’u përballur me prokurorin-ndërtues si person nën hetim qe dita e gjyqit. Leja e tij e ndërtimit është fakt dhe debatet për lejen i pranoi edhe vetë. Është konflikt i pastër interesi dhe ia thashë me rastin më të parë që m’u dha, në mes të klithmave histerike “ndyrësirë… gënjeshtar patologjik… do të ta tregoj unë ty… do ta bëj edhe këtë surprizë” etj. etj.

Si e shpjegon, Grida, që Saliu, pasi poqi 26 vetë në Gërdec, vrau me plumba në mish 4 njerëz me duar në xhepa e që s’ka kërkuar falje për krime monstruoze, i kërkon falje dhe fshiu postimin për Ols Dadon dy ditë përpara se Olsi t’i dorëzonte kokën time? Mos u bëni naivë e të mos i fyejmë inteligjencën njëri-tjetrit. Kishte 500 ditë me Nesti Angonin, zgjodhi fillimin e fushatës!

Pra, pas akuzave dhe më pas ndjesës së Saliut, Olsi vendosi të kalojë nga kostumet e tij, te fustanet e bashkëshortes sime! Please Sherlock!”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “detyrim paraqitjeje”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI

Poll

MOS HUMB