
TIRANË- Një ditë pas radikalizimit të aksionit të tyre në Kuvend, dhe pak muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Demokratike njofton se sot në mesditë do të mblidhet Federata e Opozitës. Prej javësh aleatët kanë kërkuar qartësimin e qëndrimit të Partisë Demokratike në raport me koalicionet, dhe mënyrën se si do të shkohet në zgjedhjet e ardhshme.
Një prej aleatëve, Dashamir Shehi është shkëputur nga PD, dhe ka dalë në një konferencë të përbashkët me disa prej deputetëve që janë pjesë e grupit anti-Berisha si Enkelejd Alibeaj dhe Flutura Açka. Mbetet për t’u parë nëse në mbledhjen e sotme do të jenë të pranishëm të gjithë aleatët, ndërkohë që ende nuk dihet nëse Berisha do t’i drejtohet takimit përmes një videomesazhi. Në fokus të diskutimeve të Federatës së Opozitës do të jetë aksioni opozitar.
“Në ora 12:00, Federata e Opozitës do të zhvillojë takim me aleatët në selinë e PD”, thuhet në njoftim.
Partia Demokratike ka deklaruar ndërprerjen e marrëdhënieve institucionale me mazhorancën e kryeministrit Edi Rama, ndërsa një ditë më parë në shenjë revolte, deputetët e opozitës kanë djegur një pjesë të karrigeve në shkallët e Kuvendit.
Në 7 tetor, ora 18:00, PD ka thirrur një protestë në Tiranë, e cila pritet të nisë para godinës së kryeministrisë, por është paralajmëruar se grupe protestuesish do të bllokojnë akset rrugore, kryqëzimet apo arterie rrugësh, në një formë të mosbindjes civile. Aksioni i opozitës u përshpejtua pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, ndërsa prej kohësh Partia Demokratike, ka shpalosur kërkesën e saj për qeveri teknike, përpara zgjedhjeve që do të mbahen në Maj të vitit të ardhshëm.