TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish përmes një postimi në rrjetet sociale në ditën e 27-të të protestës qytetare që po zhvillohet në Tiranë, ku protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë së tij.
Rama ka publikuar një status ku shihet mesazhi i një mbështetësi i cili ironizon kërkesat e protestuesve. Në mesazhin e qytetarit drejtuar Ramës, renditen ndryshimet që ka pësuar Shqipëria gjatë qeverisjes, si: transformimet e zonave urbane, rritja e pagave, turzimi me shifra rekord, transformimi në arsim e shëndetësi. Në fund të mesazhit qytetari i drejtohet kreut të qeverisë duke ironizuar kërkesën e protestuesve: "Dorëhiqu...në 2030, por do të kujtojmë me siguri."
Edi Rama: Mirëmëngjes dhe me kërkesën e mëposhtme për dorëheqje nga një numër i panjohur, të cilën e mirëkuptoj plotësisht duke e pranuar përulësisht, ju uroj një ditë të qetë
Është ndoshta fjala më e konsumuar në lëmin virtual, ndaj po ta risjell edhe unë si 'Millennials' me shpresën që "Gen Z" nuk do më denigrojë me komente.
Para se të vijoj po ju them, (me lehtësinë e një barre që nuk e kam mbi supe, bashkë me +800K vota) se qeverisjen e mundon më së shumti fodullëku dhe shkenca e gjithologjisë, por kjo meriton një hapësirë më të zgjeruar filozofike për diskutim.
Tani lexomë (nëse mundeni dhe natyrisht nëse doni).
Dorëhiqu për transformimet e zonave urbane dhe rurale.
Dorëhiqu për aeroportet!
Dorëhiqu për turizmin që shënon shifra rekord!
Dorëhiqu për negociatat që u hapen!
Dorëhiqu për konferencën e tetë ndërqeveritare.
Dorëhiqu për kthimin në shina të ekonomisë!
Dorëhiqu që sot keni rritur pagat në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.
Dorëhiqu sepse sot protestohet paqësisht dhe në dritaren tënde nuk ka snajper!
Dorëhiqu për transformimet në arsimin, shëndetësi, infrastrukturë dhe jo vetëm.
Realiteti është bezdisës për ata që jetojnë me nostalgjinë e krizës së përhershme.
Dorëhiqu, sepse e ktheve Shqipërinë në një vend që sot respektohet ndërkombëtarisht.
Ose mendoje kështu: Dorëhiqu...në 2030!
Nuk do të na duhesh atëherë, por do të kujtojmë me siguri.