TIRANË- Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë sot strukturat politike të Partisë Socialiste të kryeqytetit, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në Tiranë. Takimi do të nisë në orën 16:30 dhe do të zhvillohet në ambientet e Hotel Tirana dhe do të ketë në fokus koordinimin e fushatës dhe mobilizimin e burimeve politike në mbështetje të kandidates socialiste Ogerta Manastirliu. Burime për mediat bëjnë me dije se në këtë takim do të marrin pjesë ministra, deputetë të Tiranës, përfaqësues të bashkisë, si dhe ish-deputetë të cilët kanë kandiduar në zgjedhjet e mëparshme në këtë bashki.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur në skenën politike vijon tensioni lidhur me shkarkimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe dekretimin e zgjedhjeve të reja nga presidenti Bajram Begaj. Një ditë më parë, avokatët e Veliajt iu drejtuan sërish Kushtetueses duke kërkuar pezullimin e dekretit të Begajt dhe shpalljen antikushtetues të aktit. Kjo është lëvizja e radhës ligjore e Veliajt, në përpjekje për të kundërshtuar shkarkimin e tij dhe procesin e parashikuar për zgjedhje të reja në Bashkinë e Tiranës.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhjet e parakohshme në 6 bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën. Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë ka pasur shumë diskutime, pasi kryebashkiaku i shkarkuar, Erion Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetutese vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij. Vetë Kushtetuta sakëson se kur vendimi për shkarkim ankimohet në Gjykatën Kushtetutese, vendimi për shkarkim pezullohet. Megjithatë, Begai sqaroi se shkarkimi i Veliajt si kryetar Bashkie për mosparaqitje në punë është çështje administrative dhe jo kushtetuese./ZËRI

