TIRANË- Ka përfunduar mbledhja e Komisionit për Çështjet Ligjore në Bashkinë e Tiranës, ku nuk kanë munguar debatet mes të pranishmëve, me opozitën që ka deklaruar se shkarkimi i Veliajt do të duhet të kishte ndodhur disa muaj më parë, dhe jo tashmë me vendim politik.
Ilir Alimehmeti, këshilltar bashkiak i Partisë Demokratike, ka kërkuar në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Drejtësisë Sociale pse nuk është futur në rend dite kërkesa e opozitës për shkarkimin e Veliajt. Gjithashtu, këshilltari tjetër demokrat, Dorian Teliti, ka kërkuar që Erion Veliaj të dëgjohet në mbledhjen e këshillit, siç edhe ka kërkuar vetë kryetari i Bashkisë.
Endrit Braimllari, duke folur në emër të mazhorancës, ka deklaruar se është refuzuar që kërkesa e Partisë Demokratike të futet në rend dite. Sipas tij, opozita mund ta ngrejë këtë pretendim në mbledhjen e kryesisë së këshillit në orën 15:00. Ndërkohë që socialistët kanë bërë gati dhe projektvendimin për shkarkimin e Veliajt, që do të kalojë në mbledhjen e orës 16:00.
Pas mbledhjes, këshilltari i Nismës Thurje, Endri Shabani u shpreh se Veliaj është i shkarkuar që prej ditës që u arrestua në zyrën e bashkisë.
“Veliaj është në burg dhe ligji është i qartë. Automatikisht pas tre muajsh këshilli bashkiak propozon shkarkimin e tij. Debati ishte që nuk u morën parasysh kërkesat e opozitës. Më mirë vonë sesa kurrë. Ata thonë le të vinte në çdo kohë, por e pengon prokuroria.
Është fakt publik, Erion Veliaj këtu u arrestua që më 10 shkurt. Nuk ka çfarë të dëgjohet Veliaj. Është në kushtet që duhet të jepte dorëheqjen. Mos ta lëmë bashkinë pa kryetar se u bënë 7 muaj”-u shpreh Shabani.
Ndërkohë që për demokratin Teliti, Veliaj do të duhej që të dëgjohej në Këshill.
“Sapo u mbyll mbledhja e vonuar nga socialistët. Shkarkimi i Veliajt ka qenë kërkesë e hershme e opozitës. Ne e kemi kërkuar këtë shumë më parë dhe insistojmë që vendimi të jetë i pakontestueshëm ligjërisht. Veliaj ka të drejtën të dëgjohet, ashtu si çdo i paraburgosur. Socialistët sot i mohuan këtë të drejtë dhe kjo do t’i japë atij nesër një mjet për të fituar gjyqin dhe për ta rrëzuar shkarkimin në gjykatë për shkelje proceduriale. Nuk është se duam të dëgjojmë retorikën e tij, por duam që vendimi të jetë i pastër, i ligjshëm dhe i pandryshueshëm. Ne do ta votojmë largimin e tij sot dhe Veliaj do të largohet si kryetar bashkie. Duhet t’i mbyllim derën Erion Veliajt për të ardhur sërish në këtë godinë, por edhe që të shmangim që në të ardhmen, me vendim të Strasburut, të mos përballemi pas 2-3 vitesh, që me vendim të Strasburgut të paguajmë 400-500 mijë euro, dëmshpërblim financiar sepse nuk e dëgjuam çerek ore, siç e ka të drejtën”, u shpreh Teliti pas mbledhjes. Pas mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak ku do të propozohet shkarkimi i Veliajt, vendimi final i mbetet kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë që avokatët e Veliajt kanë paralajmëruar se vendimi do të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese. /ZËRI