Politikë

Qeveria me "dorë të hekurt", masat që pritet të shpallen për protestuesit: Nga "non grata" në BE, gjoba për prindërit, te rrjetet sociale...

Kryeministri ka deklaruar në daljet e tij të fundit publike, se ndaj protestuesve që kanë kryer akte dhune do të merren masa të ashpra dhe kufizime në disa fusha të ndryshme. 

zh.ll
Qeveria me "dorë të hekurt", masat që pritet të
foto ilustruese

TIRANË- Një sërë masash, të paralajmëruara nga kryeministri Edi Rama, pritet të publikohen në ditën në vijim nga qeveria. Bëhet fjalë për masa ndaj të gjithë protestuesve të cilët kanë kryer akte të dhunshme gjatë protestave të studentëve.

Kryeministri ka deklaruar në daljet e tij të fundit publike, se ndaj protestuesve që kanë kryer akte dhune do të merren masa të ashpra dhe kufizime në disa fusha të ndryshme. 

Një nga masat që parashikohen është krijimi i një regjistri të posaçëm me ermat e personave të përfshirë në akte dhune, hartimi i një liste të zezë në TIMS për t'iu ndaluar hyrjen në BE dhe kufizime në aeroporte, hotele dhe mjete transporti. Masa parashikohen edhe për të miturit, siç është ulja e moshës për përgjegjësinë penale, ndërsa një pjesë e përgjegjësisë financiare për dëmet e shkaktuara mund t’u kalojë familjarëve të tyre.

Gjithashtu, masat do të prekin edhe arsimin, ku parashikon heqje bursash, masa administriative për nxënësit që braktisin mësimin, si dhe largimi nga sistemi arsimor i mësuesve që nxisin nxënësit të marrin pjesë në akte të tilla.

Një tjetër masë është ndalimi me ligj i pjesëmarrjes në protesta me fytyrë të mbuluar, ndërsa parashikohet edhe përdorimi i teknologjisë për identifikimin e protestuesve të maskuar që kryejnë akte dhune.

Rrjetet sociale do të jenë gjithashtu pjesë e masave, pasi qeveria pritet të shqyrtojë mundësinë e ndalimit të përdorimit të tyre nga fëmijët nën moshën 16 vjeç.

Masat e paralajmëruara:

1. Kufizimet e udhëtimit dhe aksesit në shërbime
- Krijimi i një regjistri të posaçëm me emrat e personave të përfshirë në akte dhune gjatë protestave
- Hartimi i një liste të zezë në sistemin TIMS për personat e përfshirë në akte dhune
- Bashkëpunim me vendet e BE-së për t'u ndaluar hyrjen personave të identifikuar si të dhunshëm
- Kufizimi i aksesit në aeroporte, hotele, trena dhe mjete të tjera transporti

2. Masat ndaj të miturve dhe familjeve të tyre
- Detyrimi i prindërve për të paguar dëmet materiale të shkaktuara nga fëmijët e mitur gjatë protestave.
- Kufizimi i shërbimeve shtetërore për familjet e të miturve që djegin ose shkatërrojnë pronën e të tjerëve.
- Shqyrtimi i mundësisë për uljen e moshës së përgjegjësisë penale, aktualisht 14 vjeç.

3. Masat në arsim
- Heqja e bursave dhe mbështetjes financiare shtetërore për studentët e përfshirë në akte dhune
- Masa administrative për nxënësit që braktisin mësimin për t'u përfshirë në protesta të dhunshme
- Largimi nga sistemi arsimor i mësuesve që nxisin nxënësit të marrin pjesë në akte dhune

4. Ndalimi i maskimit dhe identifikimi i protestuesve
- Ndalimi me ligj i pjesëmarrjes në protesta me fytyrë të mbuluar.
- Përdorimi i teknologjisë për identifikimin e protestuesve të maskuar që kryejnë akte dhune.

5. Kufizimi i rrjeteve sociale
- Shqyrtimi i ndalimit të përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Masat që pritet të bëhen të ditura në vijim, me detaje që nga mënyra e zbatimit dhe te institucionet përgjegjëse, vijnë pas disa ditësh protestash në Tiranë. Protestat janë shoqëruar me tensione, incidente, dëmtime të ndërtesave qeveritare, bankave dhe bizneseve, si dhe dhjetëra të plagosur e të ndaluar gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB