TIRANË-Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot, Grupin Parlamentar të PS-së dhe anëtarët e qeverisë. Takimi do të zhvillohet në orën 10:00, në Pallatin e Brigadave.
'Prania Besnike' pritet të jetë në fokus të diskutimeve, projekt i cili ka të bëjë me praninë e deputetëve, drejtuesve politikë dhe strukturave vendore pranë qytetarëve për zgjidhjen e problematikave të tyre.
Takimi vjen pasi një ditë më parë Rama mblodhi ministrat dhe drejtuesit politikë në Vilën e Kuqe në Sauk, ku në fokus të diskutimeve ka qenë organizimi i punës në terren dhe takimet me qytetarët.
Ndërkohë flitet se kryeministri Rama mund të njoftojë ndryshime në kabinet. Të fundit janë bërë në janar të këtij viti po në mbledhjen e përbashkët mes deputetëve dhe ministrave.
Nga fundi i gushtit Partia Socialiste ka qenë e angazhuar në takime dhe mbledhje të njëpasnjëshme./ZËRI