TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Në një intervistë për gazetën austriake ‘Die Presse’, Rama shprehu vlerësimin për Europën, duke e cilësuar si një thesar dhe u shpreh se vetëm BE di të ndërtojë një shtet me institucione.
Por sa i përket SHBA-së, Rama deklaroi se Amerika i rregullon gjërat me bomba dhe pastaj me predikime. Për të arsyetuar qëndrimet e tij kreu i qeverisë mori shembull Afganisatnin dhe Irakun, ku sipas tij dështuan pasi nuk perspektivën e Bashkimit Evropian.
Edi Rama: Po bëjmë këtë detyrë që ta bëjmë Shqipërinë ndryshe. Dhe ta bëjmë Shqipërinë më evropiane, më demokratike, më të bazuar te institucionet e veta e jo te figurat e veta, e kështu me radhë. Pra, Bashkimi Evropian është i vetmi burim i këtij lloj përvoje. Nuk e gjen askund tjetër. Po marr shembullin e Afganistanit apo Irakut. Ata dështuan keq sepse nuk e kanë perspektivën e Bashkimit Evropian. Dhe sepse askush tjetër nuk di të ndërtojë një shtet me institucione. Amerikanët nuk kanë durim për këtë punë. Ata e kanë filozofinë e rregullimit të gjërave me bomba. Dhe pastaj me predikime. Por… procesi i gjatë është diçka që vetëm Bashkimi Evropian di ta bëjë. Dhe diçka që vetëm Evropa e ka, le ta quajmë një thesar — s’po them thesar kombëtar se s’është vetëm një komb, është thesar i këtij kontinenti.
Duke u fokusuar tek integrimi, kreu i qeverisë u pyet edhe nëse çështja e pastrimit të parave rrezikon negociatat për integrimin në Bashkimin Europian. Rama tha se kjo zhurmë kaq e madhe është qesharake dhe sipas tij Shqipëria është një vend i vogël për tu pastruar paratë.
Edi Rama: Mendoj se Tirana apo Shqipëria është thjesht një vend shumë i vogël ku të pastrohen para. Është thjesht një pjesë e jona. Po, kemi probleme, por nuk janë të tilla që të kthehen në problem për Europën, kjo është çmenduri.