
TIRANË- Teksa sot në kryeqytet mbahet protesta e 17-të kundër qeverisë Rama dhe projektit në Zvërnec, kryeministri i vendit ka zgjedhur të ndajë një moment nga protesta e mbrëmshme.
Në video duket se disa protestues konfliktohen me një qytetar, që sipas Ramës shoferi nuk i binte borisë në shenjë solidariteti me marshimin e tyre. Ai e ka quajtur këtë gjest një frymë fashiste e cila sipas tij prej ditësh ka dominuar turmën në Bulevard.
"Frymën fashiste të një numri të madh bullistash online, e cila është fryma dominuese e protestës, që materializohet edhe në turmën bullizuese të marshuesve nëpër rrugë. Në video janë pikërisht këta të fundit, që kanë rrahur mbrëmë drejtues automjetesh pse nuk i binin borisë, sipas urdhërit të këtij grupi çakejsh me dy këmbë",- thotë Rama.
Kreu i shtetit ka komentuar gjithashtu edhe sulmet që po hasin gazetarët këto ditë, duke shpërndarë kështu dhe deklaratën e Uninionit të Gazetarëve, i cili shprehet i shqetësuar me situatën që po kalojnë gazetarët dhe punonjësit e mediave në vend.
"Unioni i Gazetarëve Shqiptarë nuk ka asnjë lidhje me qeverinë, përveç rasteve kur ka bërë deklarata negative për qeverinë! Por deklaratën bashkëngjitur të Unionit po e postoj, sepse lidhet me të vërtetën më të rëndësishme dhe më shqetësuese të protestës së javëve të fundit",- shkroi Rama./ZËRI