TIRANË-Kryeministri Edi Rama po mban fjalën e tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku po ndan reflektimet nga protesta e qytetarëve. Rama ka sjellë para grupit të PS dy dokumente, ku i pari sipas tij është kthesa që duhet të garantojë mandati i katërt dhe i dyti aneks për mbështetjen që duhet të japë partia.
Edi Rama: Sot dua t’ju flas për çfarë pamë dhe dëgjuam gjatë muajit qershor kur bulevardi u mbush nga njerëz nga të gjitha rrugët e jetës, kategoritë shoqërore, moshat dhe kur një shpend i rrallë, i bukur dhe i brishtë u bë simbol i vëmendjes më të madhe që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë. Kam sjellë sot me vete dhe dy dokumente. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, ndryshuar që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre. I pari është dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në qeverisje. I dyti është një aneks sesi PS duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të katërt.
Qëlloj që në një nga ditët e qershorit, kryetar bashkie, shok i yni, që i rri në kokë punës, më erdhi i acaruar me një grup njerëzisht që i kishin dalë në protestë. Më tha; “I kam gjetur në llumë, nuk kishin trotuare. I bëra me rrugë, trotuare, u bëra kopsht, iu vura dhe stola, por janë mosmirënjohës!. Ai shokë, miq, kolegë, jemi ne të gjithë. Të gjithë prej nesh e ka menduar qoftë për një fjalë të keqe kur u ka ardhur në majë të hundës me popullin. Kam menduar që janë mosmirënjohës.