
TIRANË- Kryebashkiaku Erion Veliaj u transferua sot në burgun e Durrësit, por ka lëshuar një tjetër mesazh në rrjetet e tij sociale. Në një postim të ri, Veliaj hedh akuza ndaj prokurorit Ols Dado duke u shprehur se dosjen e tij e ka hartuar si një “paçavure”, duke theksuar se me gabime ka nisur faqen e parë të dokumentit. Socialisti shkruan se është i padënuar më parë dhe se këtë e ka pohuar edhe hetuesi Dado në sallën e gjyqit.
"Prokurori Ols Dado u detyrua ta verifikonte këtë me një telefonatë, (pasi siç duket, në mendjen e tij tashmë rezultoj një person i dënuar), dhe u përpoq ta kalonte këtë skandal, duke thënë se është thjesht një ‘lapsus’, që e paskan bërë shkruesit e dosjes time,"-shkruan Veliaj. Por edhe justifikimin e hetuesit nuk e ka pranuar duke u shprehur se nuk mund të bëhet një "lapsus" në një dosje hetimore. Gjithashtu shton se tashmë për të, është i qartë serioziteti me të cilin janë kryer hetimet për të.
"Në dosjen time ka gabime trashanike, si kjo e faqes së parë, e të cilat do t’i publikoj një e nga një për publikun dhe qytetarët e Tiranës; por, rezervoj edhe dyshimet e mia mbi dëshirën e nxituar të prokurorit Ols Dado për të më shpallur fajtor ende pa nisur procesi i gjykimit."
Kurdisja e një paçavureje 1
Nuk mund të rri pa folur edhe për një skandal të rëndë që zbulova dje në sallën e gjyqit, e shkruajtur e zezë mbi të bardhë, që në faqen e parë të paçavures së hartuar me zell të madh nga prokurori Ols Dado. U informova se në të gjitha gjirizet mediatike të PD-së na ishte publikuar se në dosjen time prokurori kishte shkruajtur: “Erion Veliaj është “i dënuar”, me shënimin “sipas Çertifikatës Elektronike të gjendjes gjyqësore Nr. 5488 Prot., datë 23.01.2025 të gjeneruar nga hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve, e cila gjendet në fashikullin 63”.” Kur e mësova, ky detaj më tronditi edhe mua personalisht, ashtu siç mund të ketë tronditur jo pak njerez të tjerë sepse dëshmia ime e penalitetit është e pastër. Dje në sallën e gjyqit, vetëm pasi unë deklarova që jam i padënuar dhe, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur me votë 3 herë radhazi nga qytetarët e mi, kam plotësuar formularin e dekriminalizimit, prokurori Ols Dado u detyrua ta verifikonte këtë me një telefonatë, (pasi siç duket, në mendjen e tij tashmë rezultoj një person i dënuar), dhe u përpoq ta kalonte këtë skandal, duke thënë se është thjesht një ‘lapsus’, që e paskan bërë shkruesit e dosjes time.
Pra, që në faqen e parë të akuzës të ngritur kundër meje na qenka bërë gabimisht një lapsus frojdjan kaq i rëndë, e njëkohësisht kaq qesharak, nga prokurori hartues i dosjes. Po si mundet të bëhet një lapsus në një dosje hetimore? Si mund të luhet me jetë njerëzish duke e kaluar me fjalët “ishte lapsus”? Ky ‘lapsus’, vetëm lapsus nuk është! Është një hije e madhe dyshimi mbi të gjithë atë që është gatuar kundër meje dhe bashkëshortes sime. Tani është i qartë serioziteti me të cilin janë zhvilluar hetimet kundër familjes dhe personit tim: më e pakta, në dosjen time ka gabime trashanike, si kjo e faqes së parë, e të cilat do t’i publikoj një e nga një për publikun dhe qytetarët e Tiranës; por, rezervoj edhe dyshimet e mia mbi dëshirën e nxituar të prokurorit Ols Dado për të më shpallur fajtor ende pa nisur procesi i gjykimit.
Dje, GJKKO miratoi kërkesën e prokurorisë për arrest me burg për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj ndërkohë që ndryshoi masën e sigurisë për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe konfirmoi masat e sigurisë për gjashtë të akuzuar të tjerë, kryesisht biznesmenë të akuzuar se kanë korruptuar Veliajn. SPAK akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar 3 vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online./ZËRI