Politikë

Rikthehet Kuvendi! Bardhi: Do paraqesim faktet për farsën elektorale! PS mbledh grupin

Priten debate nga ana e opozitës, e cila akuzon Partinë Socialiste për vjedhjen e zgjedhjeve. 

F.I
Rikthehet Kuvendi! Bardhi: Do paraqesim faktet për farsën elektorale!
Gazment Bardhi dhe Niko Peleshi

TIRANË-Ditën e nesërme do të mblidhet Kuvendi për të vazhduar punët pas ndërprerjes së zgjedhjeve të 11 majit. Seanca e nesërme pritet të jetë formale, me miratimin e kalendarit. Megjithatë priten debate nga ana e opozitës, e cila akuzon Partinë Socialiste për vjedhjen e zgjedhjeve. 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u ka drejtuar një mesazh kolegëve të tij deputetë demokratë për seancën plenare të së enjtes, që do të jetë e para pas zgjedhjeve 11 majit. Në mesazhin e tij, Bardhi thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë seancë dhe deklaron se do të bëhet gjithçka për të paraqitur faktet e asaj që ai e cilëson si “farsë elektorale”.

“Të nderuar kolegë, nesër ora 12:00 është seanca plenare e Kuvendit, në të cilën do të marrim pjesë dhe do të bëjmë gjithçka për të paraqitur faktet e plota për farsën elektorale të 11 majit. Ju përshëndes!” – shkruan Bardhi.

Nga ana tjetër kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi u ka dërguar një mesazh deputetëve ku u kërkon që në orën 11:30. Ata do të diskutojnë mbarëvajtjen e veprimtarisë parlamentare në komisione dhe seancat në vazhdim.

“Përshëndetje kolege! Siç jeni vënë në dijeni, nesër, e Enjte, datë 29 Maj, ora 12.00 zhvillohet seanca plenare e radhës. Paraprakisht, në 11.30 do të zhvillojmë mbledhjen e Grupit Parlamentar, po aty, në Sallën e Seancave Plenare. Diskutojmë mbarëvajtjen e veprimtarisë parlamentare në komisione dhe seanca përgjatë javëve në vazhdim. Pjesëmarrja është e domosdoshme. Faleminderit ” thuhet në mesazhin që kreu i grupit PS Niko Peleshi u dërgon deputetëve.

Puna e Kuvendit do të zgjasë deri në korrik dhe gjatë këtyre 5 javëve, fokusi pritet të jetë te raportimi i institucioneve të pavarura./ZËRI

Poll

MOS HUMB