
TIRANË-Një përplasje ka nisur mes kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëpunëtorit të tij të ngushtë i cili kaloi me Partinë Socialiste, Endrit Brahimllari. Meta për herë të parë ka zbuluar detaje për sa i përket aferës së lobimit në SHBA, për të cilën ai është vënë nën akuzë, ku fajëson Endrit Brahimllarin, si personin që ka firmosur kontratën e lobingut, si dhe kushëriri i tij i parë, Eriol Brahillari, i cili sipas tij, ka mbajtur për 10 vite gjithë korrespodencën me kompanitë e lobimeve edhe me e-mail, por që pas largimit nga detyra si drejtor kabineti, nuk ka lënë asnjë arkiv apo gjurmë.
"Personi i dytë besoj që duhet pyetur është z.Eriol Brahillari, i cili në dijeninë time ka mbajtur për 10 vitë gjithë korrespodencën me kompanitë e lobimeve edhe me e-mail (për fat të keq pas largimit të tij nga detyra si drejtor kabineti, çuditërisht nuk ka lënë asnjë arkiv apo gjurmë) dhe që rezulton edhe në dosjen e SPAK-ut. Besoj që në hetimet e SPAK për lëvizjet e kompanive, emri i tij është pothuajse kudo. Sepse kushëriri i tij i parë, z. Endrit Brahimllari është marrë në pyetje nga SPAK-u, pasi ka firmosur për lobimet dhe ka patur për detyrë që të ndjekë zbatimin e tyre, pasi ai përgjigjej edhe për organizimin dhe financat. Çuditërisht, Endriti pasi hyri tek SPAK-u si përfaqësues i PL doli si "rilindas" i Edi Ramës dhe u fut edhe në listën e PS për kandidat për deputet në Tiranë,"-shpreht Meta në një shkrim të gjatë, ku iu drejtua edhe moderatores Grida Duma.
Sa i përket akuzave, Endrit Brahimllari, ish-nënkryetari i Partisë së Lirisë, i cili pasi u përjashtua nga PL dhe kandidoi me PS në zgjedhjet e 11 majit, në reagimin e tij shprehet se çështja është ezauruar që në vitin 2023. Braimllari deklaron se emri i tij nuk mund të mbulojë hallet që kreu i PL, Ilir Meta ka me drejtësinë.
Endrit Brahimllari: Kjo është një çështje e ezauruar për mua që në vitin 2023. Nuk komentoj çështje që i takojnë drejtësisë. Emri i Endrit Braimllari nuk mund të mbulojë dot hallet që kanë me drejtësinë.
Por kur filluan përplasjet Meta-Brahimllari, nga spastrimet brenda PL deri tek kandidimi në PS
Në prill të vitit 2024, Ilir Meta paralajmëroi spastrime në radhët e Partisë së Lirisë me argumentin se është koha e rithemelimit të partisë dhe dhënies fund të dualizmit të drejtimit. Meta fliste me bindje se shumë njerëz që deri dje i kishte të besuar e kanë "tradhtuar pas shpine" duke mos e bërë punën siç duhet, ndonëse nuk përmendi emra. Pas deklaratës së tij një ditë më vonë në 16 prill nënkryetari i Partisë së Lirisë Endrit Braimllari dha dorëheqjen. Në regaimin e tij Brahimllari preku edhe përplasjet brenda partisë, ku pranon se e mori këtë vendim pasi gjendet në kushtet e pamundësisë për të kryer detyrën për shkak të faktorëve të brendshëm.
"Të nderuar anëtar të Komitetit Drejtues Kombëtar i gjendur në kushtet e pamundësisë për të kryer funksionin e nënkryetarit të partisë, për shkak të faktorëve të brendshëm kam vendosur të jap dorëheqjen nga ky funksion. Po bëjë unë i pari disa hapa pasë për të treguar që për mua e rëndësishme është uniteti me njeri tjetrin. Do të vazhdoj me përkushtimin maksimal angazhimin tim si i zgjedhur vendor në këshillin bashkiak të Tiranës për të qenë zëri i qytetarëve dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre, për të krijuar shanse dhe mundësi për çdo qytetar të Tiranës. Ju uroj suksese dhe punë të mbarë në rrugëtimin tonë të përbashkët",- deklaronte asakohe Brahimllari.
Në lidhje me aludimet asakohe për arrestimin e Metës edhe pse i larguar nga PL, Brahimllari shprehej se Ilir Metës nuk do ti kushtëzohej liria, pasi ishte një figurë politike që gjithmonë ka respektuar ligjin.
"Nuk besoj se zoti Meta do ketë një kushtëzim nga drejtësia për shkak se është një profil i lartë politik. Nuk ka gjë që kufizon zotin Meta. Po bëmë një ligj antiMeta kjo…unë besoj në pastërtinë e tij. Këtë gjë e kam parë kur kam qenë bashkëpunëtor i tij. Ilir Meta është udhëhequr nga fryma e zbatimit të ligjit dhe këtë këshillë i ka dhënë gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Përballë këtij regjimi duhet një bllok i fortë opozitar”, deklaronte Braimllari
Por në tetor të 2024, edhe pse i larguar nga Partia e Lirisë, me arrestimin e Ilir Metës, Brahimllari nuk i shpëtoi kontrollit. Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit më 21 Tetor 2024 zbarkuar në banesën e Endrit Braimllarit në lidhje me hetimin për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe çështjen "CEZ-DIA".
Në janar të vitit 2025, Endrit Brahimmlari ndryshoi 'krah'. Dikur numri 2 i PL, ai vendosi që t'i bashkohet kampit të Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. I pyetur në Report.tv asakohe lidhur me 19 vitet e angazhimit pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim (tashmë Partia e Lirisë), Brahimllari tha se e ka mbyllur atë kapitull, duke shtuar se nuk ka asnjë "inat" të mbartur me ish-kolegët e tij.
Partia e Lirisë nuk e priti mirë këtë ndryshim dhe pikërisht, këtu filluan akuzat e para, se Brahimllari është "marrë peng" nga SPAK. Konkretisht Partia e Lirisë, përmes zëdhënes për shtyp, ka pasur një sërë etiketimesh ndaj anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke e cilësuar më së shumti si "sufllaqexhi". Sipas PL-së, ndryshimi i "kampit" nga Brahimllari është "marrë peng" nga SPAK, bashkë me të disa afërm të tij.
"I kapur peng për shkak të firmave dhe veprimeve të papërgjegjshme, të parregullta dhe të pamoralshme, dhe tanimë i korruptuar deri në fyt, ky “sufllaqexhi” ordiner nga “zëri i qytetarëve” është kthyer në “një kërmill lëpirës”, në pritje për t’u kthyer në një përfitues të rëndomtë të zhvatjes së taksave të qytetarëve, a thua se “Rilindjes” nuk i mjaftojnë “sufllaqexhinjtë” e saj. Nga një “besnik i jashtëzakonshëm” i Ilir Metës, Endrit sufllaqja tanimë është konvertuar edhe në një diversionit të ndyrë të SPAK-ut dhe të regjimit,"-thuhej në reagimin e PL-së.
Historiku i përplasjes së tyre deri tek akuzat e sotme, daton prej një viti, por a ishte Endrit Brahimllari, tradhtari që përmendi Meta prej 2024?/ZËRI