TIRANË- Parlamenti ka miratuar projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’”, i ndryshuar. Pas një seance maratonë që zgjati rreth 18 orë, me 85 vota pro janë miratuar ndryshimet e Kodit Penal.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ministri i Drejtësisë ka reaguar pas miratimit në Kuvend, duke e cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përmbushjes së detyrimeve për integrimin europian.
“Pas 18 orë seancë plenare miratohet në Kuvendin e Shqipërisë paketa e ndryshimeve në Kodin Penal! Ndryshimet e miratura me 85 vota shënojnë një avancim tjetër në përpjekjen tonë të përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës, adresimin e shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, kontrollin e territorit, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore, terrorizmin etj. Veç kësaj, përmbushim gjithashtu detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit për në BE, përmes përafrimit të 7 akteve kyçe të Acquis communautaire. Sfida e madhe që kemi tani përpara është projekti për një Kod të ri Penal, për të cilin është bërë një punë e shkëlqyer me transparencë e gjithëpërfshirje dhe procesi vijon për të mbledhur kontributet më të mira e për të bërë reflektimet e duhura”, shkruan Lamallari.
Lamallari prezantoi dje projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, duke sqaruar se ndryshimet vijnë në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit.
Paketat e miratuara përfshijnë një sërë ndryshimesh të rëndësishme në Kodin Penal:
-dekriminalizimin e shpifjes
-ashpërsimi i dënimeve për ndërtimet pa leje dhe zjarrvëniet
-masa më të rrepta për parkimin e dyfishtë (gjobë ose deri në 6 muaj burg)
-forcimi i mbrojtjes për gazetarët, duke parashikuar dënime nga 2 deri në 5 vite burg për kanosje dhe dhunë ndaj tyre.
Gjatë seancës plenare u miratuan gjithashtu:
• Akti normativ për ndryshimet në ligjin e Buxhetit 2025 – 85 pro; 0 abstenim; 10 kundër
• Projektligji për bashkëpunimin strategjik – 85 pro; 0 abstenim; 0 kundër
• Projektligji “Shqipëria në Traktatin për Pronësinë Intelektuale” – 85 pro; 0 abstenim; 0 kundër
• Projektligji “Për tregtinë e pronësisë intelektuale”- 84 pro; 0 abstenim; 0 kundër
• Projektligji “Për shërbimet e agjencive të udhëtimit” – 85 pro; 0 abstenim; 0 kundër
• Projektligji “Për tregtinë e paligjshme të duhanit”- 85 pro; 0 abstenim; 0 kundër
• Projektligji “Për ndryshimin e Kodit Penal” – Votimi në tërësi: 85 pro, 0 abstenim, 9 kundër
• Projektligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” – 85 pro; 0 abstenim; 10 kundër
• Projektligji “Për organet e qeverisjes në drejtësi” – 85 pro; 0 abstenim; 10 kundër
• Projektligji “Për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje” – 85 pro; 1 abstenim (Erald Kapri); 0 kundër
• Projektligji “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë” –83 pro (Xhafaj e Braçe nuk votojnë); 0 abstenim; 10 kundër
• Projektligji “Për importin dhe eksportin e armëve”- 84 pro (Braçe nuk voton); 0 abstenim; 10 kundër
• Projektligji “Për organizimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit” – 85 pro; 0 abstenim; 10 kundër
• Projektligji “Për Mediat Audiovizive” –85 pro; 0 abstenim; 1 kundër/ZËRI
