TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 85 vota pro reformën e re territoriale, pas një seance maratonë prej rreth 15 orësh. Seanca përfundoi në orët e para të mëngjesit të së premtes, më 9 tetor, ku shte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
Votimi u shoqërua me debate dhe kundërshtime të forta nga opozita, sipas të cilëve, projektligji nuk ishte konsultuar me qytetarët dhe kërkoi që reforma të kalojë në referendum.
Gjatë seancës, Partia Socialiste siguroi mbështetjen e nevojshme për miratimin e reformës, pavarësisht qëndrimeve të kundërta të shprehura ditët e fundit nga deputetët Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj. Ky i fundit ndryshoi qëndrim përpara nisjes së seancës plenare, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, të enjten në mëngjes.
Edhe Erion Braçe votoi pro reformës, por pas përfundimit të seancës deklaroi se vijonte të ishte kundër saj dhe se do ta shpjegonte votën e tij ditën e premte. Pro votoi edhe Elisa Spiropali, pavarësisht që shprehu kritika të forta ndaj reformës së re administrativo-territoriale.
Në votimin përfundimtar, reforma mori 85 vota pro. Ndërkohë, gjatë procesit të votimit, deputetë të opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit dhe hodhën shishe uji dhe sende të forta në drejtim të kryeministrit Edi Rama.
Si ndryshon harta e re e Shqipërisë?
Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, nuk do të jenë më bashki më vete, dhe nga 61 bashki në vend, numri ulet automatikisht në 46.
Sipas propozimit këto bashki do të 'shkrihen':
-Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë
-Klos + Mat → Bashkia Mat
-Rrogozhinë + Kavajë → Bashkia Kavajë
-Dimal + Berat + Poliçan → Bashkia Berat
-Patos + Fier → Bashkia Fier
-Divjakë + Lushnjë → Bashkia Lushnjë
-Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë
-Maliq + Korçë → Bashkia Korçë
-Këlcyrë + Përmet → Bashkia Përmet
-Memaliaj + Tepelenë → Bashkia Tepelenë
-Libohovë + Gjirokastër → Bashkia Gjirokastër
-Cërrik + Elbasan + Belsh → Bashkia Elbasan
-Prrenjas + Librazhd → Bashkia Librazhd
Veç bashkimit të bashkive, do të ketë dhe 6 qytete të reja.
Konkretisht, në qarkun e Shkodrës, në Bashkinë Malësi e Madhe, Kastrati do të marrë statusin e qytetit, ndërsa në Bashkinë Vau i Dejës, statusin e qytetit do ta marrë edhe Bushati. Po ashtu ndryshime ka edhe në qarkun e Dibrës, ku në Bashkinë Mat, e cila me hartën e re përfshin edhe Klosin, propozohet që statusin e qytetit ta marrë edhe Ulza. Në Bashkinë Bulqizë, Krasta do të marrë gjithashtu statusin e qytetit dhe do t'i shtohet Bulqizës. Ndërkohë edhe Golemi do të marrë statusin e qytetit, ndërsa në qarkun Lezhë shtohet qyteti Milot.
Zonat që marrin statusin e qytetit:
• Kastrati → qytet në Bashkinë Malësi e Madhe
• Bushati → qytet në Bashkinë Vau i Dejës
• Ulza → qytet në Bashkinë Mat
• Krasta → qytet në Bashkinë Bulqizë
• Miloti → qytet në Bashkinë Kurbin
• Golemi → qytet në Bashkinë Kavajë/ZËRI