Politikë

Shembja e aksit Librazhd-Prrenjas! Rama: Fatkeqësi e natyrës, jo korrupsionit

Kreu i qeverisë kryeministri shpjegoi se nuk është prekur Korridori Tetë siç thuhet në media dhe se po punohet në akset e dëmtuara për riparimet në kohë dhe kthimin e normalitetit.

F.I
Shembja e aksit Librazhd-Prrenjas! Rama: Fatkeqësi e natyrës, jo
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka folur sot sërish për aksin e shembur rrugor Librazhd-Prrenjas, për të cilin tha se lidhja e korrupsionit me këtë zhvillim është zero. Rama nga podkasti i tij “Flasim”, deklaroi se kaosi me rrugët nuk është shkaktuar nga korrupsioni, por nga natyra, ashtu sikurse po ndodh edhe në pjesën më të madhe të botës. Kreu i qeverisë kryeministri shpjegoi se nuk është prekur Korridori Tetë siç thuhet në media dhe se po punohet në akset e dëmtuara për riparimet në kohë dhe kthimin e normalitetit.

Edi Rama: Do të ndalem këtu te bombat artizanale që shpërthyen në 700 penxheret e Shqipërisë. Lidhet me një fatkeqësi, me ndërhyrjen e një force madhore, në aksin e Korridorit të tetë, aksin ku ndërtohet një nga veprat më kuptimplota të Shqipërisë, që pas rënies së regjimit. Kjo zhurmë tenxheresh, kjo çmenduri që çoi në veshin e shqiptarëve se ajo rrëshqitje prej 100 metrash në një aks qindra kilometra nuk ishte fatkeqësi, është një ardhje rrotull këmbësh rreth Shqipërisë në misionin e saj për të arritur në majën ku duan të shkojnë shqiptarët, në BE. Puna intensive për hapjen e rrugëve alternative, nuk është ndalur asnjë minutë, po ashtu dhe puna për të stabilizuar gjeoteknikisht terrenin. E pikërisht kur Shqipëria po e lufton korrupsionin më fort se asnjëherë dhe këto janë fakte, këtu flitet se korrupsioni është më i madh se asnjëherë. Po kaq e vërtetë është kjo, sa ç’është e vërtetë lidhja e korrupsionit me atë rrëshqitje. Zero, zero! Aty ka një gjeologji të vështirë dhe rrëshqitja ka afektuar,  jo aksin e ri, asgjë që lidhet me kantierin dhe me të gjitha punimet që janë bërë me kantierin përgjatë segmentit të rrugës Elbasan-Qafë-Thanë, po rrugën e vjetër, në një vend ku terreni malor, formacionet argjilore dhe shpatet e paqendrueshme janë afektuar ndjeshëm, siç ka ndodhur në shumë vende, duke u nisur nga Greqia fqinje për shkak të reshjeve shumë intensive dhe këmbëngulëse të këtij dimri. Paralelisht, ekipet inxhinierike janë në terren për të shkuar përtej riparimit sipërfaqësor që nuk është i mjaftueshëm sepse duhet garantuar stabilizimi i thelluar që t’i japi fund një herë e mirë problemit që është shfaqur aty dhe që ta bëjë këtë në mënyrë të qëndrueshme dhe prandaj, paralelisht me menaxhimin e situatës aktuale po përshpejtohet zhvillimi i kësaj infrastrukture të re strategjike.

Në zonën e quajtur “Arra e Gurrës”, ku lëvizjet e terrenit kanë shkaktuar bllokimin e aksit Librazhd–Përrenjas, ARRSH ka nisur punën me intensitet për stabilizimin e zonës dhe rikthimin e normalitetit në qarkullim. Shembja e ndodhur në aksin kombëtar të rrugës Librazhd–Përrenjas, në afërsi të fshatit Dragostunjë, pritet të marrë një kohë të gjatë, në rastin më të mirë disa muaj punë, nëse ndiqen procedurat dhe standardet në fuqi. Situata u përkeqësua që prej ditës së shtunë (21 shkurt), ku rruga është shkëputur duke rrezikuar shembje totale si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Segmenti u mbyll për shkak të shembjes së urës në vendin e njohur si “Arrat e Gurrës”. Rrëshqitja e tokës ka dëmtuar edhe bypassin provizor që pritej të hapej ditën e djeshme (23 shkurt)./ZËRI

Poll

MOS HUMB