Politikë

Shkarkimi i kryebashkiakut! Këshilli i Ministrave vulos sot 'fatin' e Veliajt! Tirana drejt një kryetari të ri

Të martën, Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi me 50 vota pro shkarkimit të Erion Veliajt. PS dhe PD bashkuan votat në Këshillin Bashkiak. 

zh.ll
Shkarkimi i kryebashkiakut! Këshilli i Ministrave vulos sot
Erion Veliaj

TIRANË- Këshilli i Ministrave do të mblidhet sot në orën 12:00, ku pritet të finalizohet shkarkimi i kryebashkiakut të Tiranë, Erion Veliaj. Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi pro shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe propozimi i është dërguar dje Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. 

Të martën, Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi me 50 vota pro shkarkimit të Erion Veliajt. PS dhe PD bashkuan votat në Këshillin Bashkiak. 

Motivi që Këshilli Bashkiak Tiranë votoi për shkarkimin e Erion Veliajt është mosparaqitja në detyrë prej më shumë se 3 muaj. Veliaj ka sqaruar në kërkesën e tij se mungesa për më shumë se tre muaj, nuk është si pasojë e vullnetit të tij, por si rrjedhojë e një mase sigurie, të cilën do ta kundërshtojë në të gjitha instancat gjyqësore. Neni 115 i Kushtetutës parashikon se, nëse bëhet ankim brenda 15 ditësh, vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet. Ky akt do të bllokonte zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë.

Një ditë më parë, në një takim me ministrat dhe deputetët e qarkut të Tiranës, përkrah kandidates për kryebashkiake Ogerta Manastirliu, Rama e konsideroi vendimin për shkarkimin e Veliajt si të detyrueshëm. Rama po ashtu zhvilloi një takim në Kryeministri me nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, kryetaren e komanduar Anuela Ristani, dhe me Manastirliun, që është kadidatja e shpallur për bashkinë e Tiranës nga PS.

Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg që prej datës 10 Shkurt të këtij viti. Kryebashkiaku së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI 

Poll

MOS HUMB