TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar me tone ironike debatet e fundit për një “Shqipëri të re”, ku thumboi edhe ish-ministren e Jashtme Elisa Spiropali. Shkak janë bërë deklaratat e kësaj të fundit vetëm pak ditë pas nisjes së protestave kundër projektit të Zvërnecit.
Rama u shpreh se brenda Partisë Socialiste ka “shpirtra të humbur” që flasin për një Shqipëri të re, por sipas tij, mungon një propozim konkret. Ai u shpreh me ironi se mezi pret që t’i sjellin draftin, por shtoi se ka frikë se nuk do të vijë kurrë.
“Është edhe një thirrje për një Shqipëri të re, dhe ka dhe disa shpirtra të humbur në partinë tonë, që duan një Shqipëri të re. Mezi pres që të na e sjellin draftin e Shqipërisë së re të shkruar. Por kam frikë se nuk do vijë kurrë, sepse Shqipëria e re është si të gjitha siluetat e flamingove, njërën prej të cilave e mbante Fatos Lubonja. Fatosi poshtë, flamingo lart dhe ‘hi hi hi hi Shqipëria e re’. Do kritikohemi e sulmohemi, por kemi detyrimin të mos zgjedhim rrugën e lehte, të mos zgjedhim të jemi popullorë, kur duhet të jemi të përgjegjshëm”, tha Rama.
Më herët, Elisa Spiropali kishte deklaruar në rrjete sociale se nevojitet një marrëveshje e re për Shqipërinë, duke u ndalur edhe te protestat për projektin e Zvërnecit, për të cilat tha se nuk mund të zëvendësohen me “fjalë boshe dhe konspiracione”.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Spiropali shprehej për një marrëveshje të re për Shqipërinë, ku të ndërtojë një shtet që funksionon edhe kur pushteti ndryshon, edhe kur interesat përplasen. Deputetja thekson se parlamenti duhet të jetë vendi ku dëgjohet shoqëria dhe jo vetëm të miratohen vendime. /ZËRI
