Politikë

Shqipëria drejt hapjes së negociatave për grupkapitullin e 4-të me BE

Kapitujt e Grupkapitullit 4 përfshijnë fusha shumë të rëndësishme për ekonominë, biznesin dhe që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.

F.I
Shqipëria drejt hapjes së negociatave për grupkapitullin e
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të BE-së ka autorizuar sot Presidencën e BE-së që t’i kërkojë zyrtarisht Shqipërisë paraqitjen e pozicionit të saj negociues për grupkapitullin 4, Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme. Presidenca Polake i ka dërguar sot një letër zyrtare Qeverisë Shqiptare, duke hapur rrugën për përgatitjen e negociatave mbi katër kapituj kyç.

Kapitujt e Grupkapitullit 4 përfshijnë fusha shumë të rëndësishme për ekonominë, biznesin dhe që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Njoftimi për shtyp i Kryeministrisë:

Shqipëria edhe një hap tjetër para në rrugën e suksesshme të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Përvijohet rruga për hapjen e negociatave për Grupkapitullin 4 – Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhjae Qëndrueshme

11 qershor 2025

Sot, më 11 qershor 2025, pasi ka konstatuar se Shqipëria është mjaftueshëm e përgatitur për të hapur negociatat, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, autorizoi Presidencën e BE-së dhe Presidenca Polake i dërgoi sot letrën Shqipërisë ku i kërkon të paraqesë pozicionin e saj negociues mbi katër kapitujt e përfshirë në Grupkapitullin 4 “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Pozicioni negociues do t’i paraqitet Konferencës së Gjashtë Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila do të organizohet në një datë që do të shpallet së shpejti nga Presidenca e Këshillit të BashkimitEvropian.

Kapitujt e Grupkapitullit 4 përfshijnë fusha shumë të rëndësishme për ekonominë, biznesin dhe që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Kapitulli 14, i cili trajton politikën e transportit, synon përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë rrugore e hekurudhore;

Kapitulli 15 lidhet me sektorin e energjisë dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji;

Kapitulli 21 fokusohet te rrjetet trans-evropiane dhe ndërlidhjen infrastrukturore të Shqipërisë me vendet e BE-së, si pjesë e rëndësishme e Korridoreve Evropiane; ndërsa Kapitulli 27 vlerëson mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e ndryshimeve klimatike, përmes standardeve të larta të BE-së.

Përmes negociatave të këtyre kapitujve, Shqipëria pritet të bëjë hapa konkretë drejt ndërtimit të rrugëve më të sigurta dhe moderne, përmirësimit të ndërlidhjes rajonale dhe evropiane, garantimit të furnizimit me energji të pastër dhe të përballueshme, si dhe mbrojtjes së mjedisit për gjeneratat e ardhshme. Ky është një investim i drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë dhe transformimin e pandalshëm të ekonomisë shqiptare në rrugën drejt familjes evropiane.

Ky vendim i Bashkimit Evropian konfirmon ecurinë e suksesshme të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit. Ai është një tregues i qartë i përparimit të prekshëm në përmbushjen e reformave ekonomike, i përgatitjes dhe aftësive të të gjitha institucioneve shqiptare dhe aktorëve ekonomik, si dhe Ekipit Kombëtar të Negociatave për anëtarësim, por njëkohësisht përforcon besimin se Bashkimi Evropian mbështet një proces zgjerimi të drejtë dhe të besueshëm, të bazuar në rezultate konkrete, të matshme dhe përmbushje të standardeve evropiane.

Në vitin 2025, Shqipëria ka hapur negociatat për dy grupe të tjera: Grupi i dytë: Tregu i brendshëm – i cili përfshin kapitujt 1 deri në 4, që lidhen me lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punëtorëve.

Grupi i tretë: Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse – i cili përfshin kapitujt 10, 16, 17, 19 dhe 20, që lidhen me shoqërinë e informacionit dhe mediat, shërbimet financiare, politikat ekonomike dhe monetare, punësimin dhe politikat sociale, si dhe politikat e ndërmarrjeve dhe industrisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB