TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim të gjatë përpara familjarëve të viktimave të 21 Janarit, në 15-vjetorin e tragjedisë, ku 4 protestues u vranë në mes të Bulevardit. Rama u shpreh përgjegjësit kryesorë të tragjedisë mezi u thirrën për t’u pyetur vetëm pas thuajse 15 vitesh, ndërsa theksoi se historia tregon se krimet shtetërore nuk mbeten pa u ndëshkuar.
“21 Janari është ana tjetër e medaljes së drejtësisë së vonuar, me përgjegjësit kryesorë të tragjedisë që me zi u thirrën për t’u pyetur pas thuajse 15 vitesh. Unë e kam ditur dhe e kam thënë, është në shumë kronika apo intervista, se 21 Janari, si një krim shtetëror, hyn në atë kategori për të cilën historia na mëson se drejtësia vonon shumë, por nuk harron kurrë”, tha Rama, ndërsa kritikoi edhe SPAK-un, duke deklaruar: “Për vite me radhë edhe vetë SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekzistonte, pavarësisht se bëhet fjalë për kryeçështjen mes çështjeve të lidhura me abuzimet e pushtetit politik në Shqipëri, të cilat SPAK i merret drejtpërdrejt.” Rama tha se shumë gjurmë nga krimi i 21 Janarit janë zhdukur në këto 25 vite, megjithëse ‘ujku mbetet aty’, duke iu referuar Sali Berishës.
Pjesë nga fjala e Ramës:
21 Janari është ana tjetër e medaljes së drejtësisë së vonuar, me përgjegjësit kryesorë të tragjedisë që me zi u thirrën për t’u pyetur pas thuajse 15 vitesh. Unë e kam ditur dhe e kam thënë, është në shumë kronika apo intervista, se 21 Janari, si një krim shtetëror, hyn në atë kategori për të cilën historia na mëson se drejtësia vonon shumë, por nuk harron kurrë.
Është shumë interesante historia e krimeve shtetërore, sepse nuk rezulton asnjë krim shtetëror i pandëshkuar. Por nga ana tjetër është shumë evidente se sa shumë vonon ndëshkimi për një krim shtetëror.
Po ama, edhe me orvatjen për të gjetur ngushëllim te historia e botës demokratike ndaj krimeve shtetërore, nuk e kam menduar, me thënë të drejtën, se reforma në drejtësi, për të cilën 21 Janari, si një nevojë prioritare e jona për drejtësi, ka qenë një prej burimeve të energjisë sonë për ta çuar atë përpara.
Më pas, me strukturat speciale, nuk do të ngrihej, gjë e paimagjinueshme për mua, asnjë akuzë pas 15 vitesh për katër vrasjet në shesh. Për vite me radhë edhe vetë SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekzistonte, pavarësisht se bëhet fjalë për kryeçështjen mes çështjeve të lidhura me abuzimet e pushtetit politik në Shqipëri, të cilat SPAK i merret drejtpërdrejt.
Vetëm falë këmbënguljes së familjeve të viktimave, dosja e krimeve më të egra të krimeve shqiptare u vendos në tryezën e SPAK. 21 janari ka një specifikë, ndërkohë që gjurmë të shumta janë humbur, ujku është i dukshëm në sytë e të gjithëve. Gjykata e Strasburgut i nënvizoi si shkelje të konventës evropiane, përdorimin e forcës vdekjeprurëse, edhe mungesës e bazë legjitime për të mbrojtur zyrën e kryeministrisë më forcë vdekjeprurëse duke kërkuar autoriteteve të zbardhin ngjarjen. Ulërima e kësaj padrejtësie nuk do të shuhet asnjëherë. Dhe nevoja për drejtësinë e munguar do të triumfojë me se sbën.
Pas fjalimit, Rama, deputetë socialistë dhe familjarë të viktimave, vendosën lule pranë vendit ku u vranë 4 protestuesit.
21 Janar 2011, 4 protestues mbetën të vrarë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në një protestë të socialistëve në opozitë, që kërkonin rrëzimin e qeverisë Berisha pas videoskandalit Meta- Prifti. Sot 15 vite më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar, por personazhet e asaj ngjarje tragjike mbeten në skenën politike, edhe pse një pjesë e tyre kanë ndryshuar rolet. Pas zvarritjes në të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, për familjarët e viktimave u shfaq një rreze shprese, me vendimin e Gjykatës së Strasburgut, që i kërkoi shtetit shqiptar hetimin e plotë të ngjarjes.
Tashmë çështja është rihapur nga Prokuroria e Posaçme, e përpara prokurorit Alfred Shehu, janë rrëfyer një sërë politikanësh e shtetarësh me pozitë të kohës, që nga ish-kryeministri Sali Berisha, te ish-presidenti Bamir Topi, dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Ndërkohë që ‘shkaktari’ që çoi në protestën e dhunshme, ish-presidenti Ilir Meta, ka dëshmuar në SPAK me kërkesën e tij, për protestën e 21 Janarit, për skenarin e dhunshëm të së cilës, sipas tij kanë qenë në dijeni dhe përfaqësitë diplomatike në Tiranë.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha./ZËRI