TIRANË- Kryeministri Edi Rama komentuar zaptimin e hapësirave publike dhe aksionin për lirimin e tyre. Kreu i qeverisë ka zhvilluar sot një komunikim të drejtpërdrejtë në Facebook, theksoi se nuk bëhet fjalë për një aksion të përkohshëm, por një proces në të cilin mund të marrin pjesë edhe qytetarët me denoncime. Lidhur me këtë, Rama bëri me dije hapjen e një portali 'hapësira ime'. Ndërkohë, sa i përket aksionit nga vete bizneset, afati i të cilit përfundoi ditën e djeshme, kryeministri njoftoi masa ndëshkuese për të gjithë ata që e kundërshtuan. Në vijim, kreu i qeverisë paralajmëroi nisjen e fazës së dytë të “Rilindjes Urbane”, që do të përqendrohet në transformimin e hapësirave të liruara në ambiente të bukura për komunitetin.
"E rëndësishme të kuptohemi se nuk është ideja hajde o burra të ndëshkojmë. Do hiqen të gjitha të tëra, do hiqen hap pas hapi. Është gjë e mirë që të gjithë ju të merrni pjesë në proces duke çuar denoncime. Do hapet edhe një adresë e posaçme, portal hapësira ime. Duhet të ndahet mendja që nuk mund të shtohesh përtej kufirit ku nis jeta e komunitetit, kemi vendos plazhet publike, jemi shumë më mirë se vjet, por nuk jemi më mirë se sa duhet. Do të jenë ndëshkime të atilla, që mos ti shkojë mendja njeri të fillojë lojën nga e para. Mbrapa vjen rilindja urbane 2.0 jemi duke ngritur grupe që këto hapësira ti kthejmë në hapësira të bukura për komunitetin, pastrojmë tek 21 dhjetori, tek komuna e Parisit, por nuk mundet që gjërat të mbeten ashtu duhet të ndërhyjmë më projekte urbanistike për të krijuar hapësira të bukura publike. Ata që kanë prona që i përdorin si parkim e të paligjshme janë të ftuar të vijnë të marrin leje dhe të ndërtojnë parkime, me 2 apo 3 kate që mund të jenë godina shumë të bukura që mund të shfrytëzohen. S’ka për tu lejuar asgjë selektive, tentativat do bëhen, dikush do mbyllë sytë, por nuk do lejohet asgjë selektive, duke bashkëpunuar komuniteti me autoritetet.", tha Rama.
Rama bëri të ditur se është duke u hartuar një rregullore kombëtare për hapësirat publike, e cila do të përcaktojë qartë kufijtë dhe standardet që duhet të respektohen nga të gjithë, bazuar në modelet e qyteteve europiane si Barcelona dhe Kopenhaga. Ai nënvizoi se territori dhe hapësira e përbashkët kanë një rëndësi të veçantë në këtë proces.
"Nuk mund të bëhemi anëtarë të BE duke i ndarë mbrapsht punët, disa andej që përpiqet të bëjnë punën dhe disa që përpiqen të bëjnë diçka duke mos pyetur për punën e përbashkët. Në këtë aspekt territori ka një rëndësi të posaçme. Respekti për hapësirën e përbashkët ka rëndësi të posaçme. Vendosja qartë e kufirit mes të drejtës mbi hapësirën e përbashkët dhe të drejtës së kujdo që do të zhvillojë një aktivitet të caktuar legjitim në këtë hapësirë është një domosdoshmëri. Rregullorja do të përcaktojë me centimetra kufijtë e hapësirave që mund të përdoren nga subjektet private", deklaroi Rama.
Kryeministri paralajmëroi një rregullore të re për kantieret e ndërtimit, ku tha se duhen eliminuar zhurmat për banorët e zonave ku ndërtohet. Në të kundërt, Rama bën me dije se do ketë masa drastike.
"Rregullorja e re për kantieret e ndërtimit, kush ndërton pallat nuk mund të behet problemi i zonës por duhet të marri masat që zona të mos e ndjejë fare. Do merren masat për të bërë rrethimet e duhura, për mos nxjerrë në rrugë asgjë, jo duke marrë dhe trotuarin se po ndërton në pallat. Masat do jenë drastike. Do ketë dhe kontroll të kantierëve. Na del dhe një gjykatës i pacipë për një pallat pa leje. E fundit, në fushatën e fundit isha pjesë e Tiranës, jam dhe deputet i Tiranës, kush thotë si e qysh, dua ti them që po bëj siç kam bërë dhe siç do bëj për Vlorën dhe Durrësin", theksoi Rama.
Aksioni i lirimit të hapësirave publike ka nisur pothuajse në të gjithë vendin me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Fenomeni “tokë e xanun”, sipas Ramës, nuk do të ekzistojnë më. Lidhur me këtë, ai ka bërë thirrje për të gjitha bizneset apo individët të cilët kanë zaptuar padrejtësisht hapësirat publike, t’i lirojnë menjëherë. Sakaq, kryeministri ka paralajmëruar se do të përballen me ligjin kushdo që e kundërshton aksionin./ZËRI