TIRANË-Pas prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, kryeministri Edi Rama ka akuzuar një tjetër gjyqtar, Hazbi Balliun. Rama shprehet se Balliu një pallat pa leje të konfiskuar në mes të Tiranës e ka kaluar në favor të një ndërtuesi të paligjshëm. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Rama denoncon rastin e një pallati pa leje në mes të Tiranës, i konfiskuar nga shteti dhe vendosur në përdorim të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, por që sipas vendimit të gjyqtarit Balliu, konsiderohet si pronë e ligjshme e ndërtuesve.
Kryeministri duke risjellë rastin e prokurores së Shkodrës, e cila nuk hapi hetim për ndërtimin pa leje të një fshati të tërë turistik në zemër të Thethit, shprehet se Elsa Gjeli dhe Hazbi Balliu, janë vendosur “në llogoren e Antiligjit dhe Antishtetit”, duke penguar shtetin në luftën kundër paligjshmërisë.
Më tej me një pyetje u drejtohet edhe institucioneve të larta të qeverisjes së gjyqësorit e të kontrollit, duke ju kërkuar llogari se përse nuk i kanë kontolluar lëvizjet e prokurorëve dhe gjyqatëve.
Edi Rama: Pas prokurores Gjeli, e cila e konsideroi krimin e ndërtimit të një fshati të tërë turistik pa leje në zemër të Thethit, si një zhvillim të natyrës dhe as nuk hapi fare hetime, duke u vendosur hapur në llogoren e Antiligjit e të Antishtetit kundër interesave të Republikës së Shqipërisë, dje u shfaq në të njëjtën llogore gjykatësi Balliu, i cili një pallat të tërë pa leje të konfiskuar nga shteti në mes të Tiranë dhe të vendosur në funksion të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, e konsideroi si pronë legjitime të ndërtimtarëve të paligjshëm, duke vendosur masë sigurie në favor të tyre. Fatkeqësisht as Gjeli as Balliu, nuk janë të vetmit prokurorë e gjykatës që po mbajnë gjallë në sistemin tonë të drejtësisë forcën e vjetër brutale të Antiligjit e të Antishtetit në dëm të interesave të shtetit, të komunitetit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, sa herë që përballë tyre gjenden subjekte të biznesit të madh.
Pyetja që rilind në vend të ulërimës së revoltës edhe në këtë rast është, ku janë institucionet e pavarura të qeverisjes së gjyqësorit e të kontrollit të këtyre shpërdoruesve të pavarësisë së drejtësisë, të cilat prej kohësh po provojnë inekzistencën e tyre në raport me abuzime ulëritëse prokurorësh e gjykatësish të çdo niveli?
Njerëzit që na votojnë e kërkojnë llogarinë tek ne për qëndrimet Antiligj e Antishtet të njerëzve të drejtësisë së pavarësuar totalisht nga ekzekutivi. Po ne ku ta kërkojmë llogarinë në emër të interesave të tyre dhe të vetë shtetit, për këto e shumë thika të tjera pas shpinës që Republika jonë dhe plot qytetarë të saj marrin nga Gjelat e Ballinjtë brenda sistemit të drejtësisë, të cilët paguhen prej taksave të shqiptarëve më shumë e shumë më shumë se sa të gjithë rrogëtarët e tjerë të këtij shteti. Një gjë është pak po e sigurtë: Mandatin e fortë për ta bërë Shqipërinë 2030 shtet të së drejtës, anëtar të Bashkimit Europian, shqiptarët nuk e na e dhanë për të ngritur duart lart përballë Gjelave të prokurorive e Ballinjve të gjykatave, qoftë kur shqelmojnë Republikën qoftë kur grushtojnë njerëzit që meritojnë drejtësi, vetëm drejtësi dhe as më shumë e as më pak se sa drejtësi. Drejtësia vonon po nuk harron, thotë Populli. Për të gjithë!
Rasti i prokurores Elsa Gjeli
Ishte vetë kryeministri Edi Rama, ai që denoncoi një vendim të prokurores për një ndërtim në Theth. Rasti në fjalë lidhet me vendosjen e bujtinave "Eagle Hill" pa leje në zonën e mbrojtur të fashtit turistik. Bujtinat zotërohej nga Prekë Kodra, një personazh i dyshuar për një sërë veprash penale; i shpallur aktualisht në kërkim nga SPAK. Rama tha se rasti, nuk është ndjekur penalisht nga prokuroria e Shkodrës. Kjo e fundit sqaroi se nuk mund të niste ndjekjen penale për këtë rast, pasi strukturat e vendosura ishin të lëvizshme e si të tilla nuk ka parashikime ligjore për ndjekje penale.
Vetë prokurorja Elsa Gjeli u shpreh se nga deklaratat që ka bërë kryeministri i është cënuar dinjiteti dhe pavarësia profesionale. Gjeli kërkoi që KLP të analizojë sjelljen e kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve. Ajo u shpreh e gatshme të hetohet para të gjithë organeve të drejtësisë./ZËRI


