TIRANË-Kryeministri Edi Rama dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë përfshirë në një debat në distancë ku shkak është bërë rritja e pagave për figurat e drejtësisë. Pas reagimit të Shoqatë Kombëtare e Gjyqtarëve, ku përmes një deklarate publike, gjyqtarët i cilësojnë deklaratat e kryeministrit si një "tymnajë populiste' dhe një 'përbaltje' që synon të ndeze kundërshti në opinionin publik.
Në lidhje me këtë deklaratë një reagim ka ardhur edhe nga vetë kreu i qeverisë Edi Rama. Rama me një reagim në rrjetet sociale shprehet se gjuha e përdorur nga Shoqata është e papranueshme dhe thotë se përmes pushtetit gjyqësor po kërkohet të imponohet Kuvendi për t'u rritur pagat vetes. Sipas kreut të qeverisë nuk ka ligj dhe kushtetutë që ju jep të drejtë gjyqtarëve, pasi për rritjen e pagave të tyre kërkohen 37 mln euro nga buxheti i shtetit. Rama nënvizon se gjyqtarët e kanë pagën të barabartë me ata të Greqisë dhe me kërkesën për rritjen e pagave, gjyqtarët duan të jenë vetë ligji.
Edi Rama: Jam këtu në një komunikim të drejtë për drejtë sepse jam absolutisht i surprizuar nga një reagim i pa besueshëm i shoqatës së gjyqtarëve në lidhje me shqetësimin për një përpjekje që në këndvështirimin tim është e pa pranueshme për t’ju imponuar Kuvendit e qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes gjyqtarët.
S’mund të thuash topi është i imi, topin do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të jetë bosh.Tymnajë populiste. Regjistrohuni si parti dhe shpalosni platformën tuaj nëse doni. Ju zotërinj kërkoni 37 mln euro nga buxheti i shtetit. Kjo është e vërteta dhe se luan topi. Se për çfarë jemi ne në Gjykatën Kushtetuese me ju, ta dinë shqiptarët. Ju kërkoni që për gjyqtarin e Apelit, nga 3480 euro, të shkojë në mbi 5 mijë. Për SPAK e veçoj, se nuk i është bashkuar kësaj kërkese absurde, për ta çuar pagën 9800 euro. Ndërkohë, sot aktualisht, pagat e gjyqtarëve, janë rreth 6500 euro. Ju doni t’i rrisni pagat në muaj 3 mijë euro vetes, në gjykata. Ku jeni ju? Ça kërkoni? Ju i keni pagat sa në Greqi, ju doni ti rrisni me nga 2-3 mijë euro në muaj. Në emër të çfarë? Nuk ka ligj dhe kushtetutë. Ju thoni se nuk mund të heshtni për përbaltjen kryeministrore? Çfarë përmbajtje? Ju jeni ajo palë që duhet të heshtë në publik dhe të japë vendim në sallën e gjyqit. Ju me këtë tentativë në Gjykatën Kushtetuese, doni të jeni ligji. Kjo është e vërteta. Nuk synon qëndrimi im të ndezë një debat në publik.
Sipas Shoqatës, që nga viti 2016 kur u hartua projektligji për statusin e magjistratëve dhe deri në vitin 2023 kur u miratuan ndryshimet që rregullojnë sot pagën e gjyqtarëve, qeveria dhe shumica në pushtet ka vepruar në “keqbesim dhe mungesë sinqeriteti” dhe se ndërhyrjet kanë qenë antikushtetuese. Në lidhje me këtë projektligj Rama sqaron se duhet kohë dhe pretendon se Shoqata e Gjyqtarëve ka kërkuar rritje pagash edhe për gjyqtarët, të cilët janë larguar nga sistemi i drejtësisë përmes procesit të vettingut, për shkak të pasurive të pajustifikuara.
Edi Rama: Por ama, nga vendimi i 2016 te krijimi i mundësive për të pasur atë fond pagash, duhet kohë. Kur kemi kaluar atë paketë, nuk ishte kjo Shqipëri. Sot është një Shqipëri tjetër. Si mund të jetë kjo me çelës magjik. Ju vazhdoni edhe me një gjë tjetër, habitem si e diskutoni akoma. Ju keni shkuar në Gjykatën Kushtetuese, për t'iu rritur pagat atyre që i ka hequr vettingu, për t’i kërkuar taksapagesve shqiptarë, për të paguar paga më të larta, për ata që i hoqi vettingu, se kishin pasuri të pajustifkuara, për të korruptuarit dhe gjakpirësit e popullit shqiptar, meritonin rritje pagash, njësoj si ata që kaluan vettingun. Ju duhet të jeni të parët që duhet të shqetësoheni për barazinë para ligjit.
