
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës zyrtare të Prokurorisë së Posaçme se vëllai i tij, Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me laboratorin e kokainës në fshatin Xibrakë. Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se nuk ka folur deri më tani në lidhje me këtë temë pasi priste që drejtësia të fliste me prova. Rama theksoi se SPAK arriti në përfundimin se vëllai i tij, Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me personin e paidentifikuar të dosjes në fjalë dhe s’ka asnjë fakt që të lidhë të vëllanë me aktivitetin kriminal. Kryeministri theksoi se vëllai i tij u përdor si mish për top për ta goditur atë.
Edi Rama: Vitin e shkuar deputeti Gazment Bardhi jashtënxorri në publik një akuzë ekstreme ndaj vëllait tim Olsi Rama. E denoncoi në publik si trafikant droge përmes një sajese kriminale. Sipas tij dy prokurorët e dosjes e paskëshin fshehur identitetin tim vëllai. Kam bërë durim, nuk kam dashur të flas unë me bindjet e mia, para se të flasë me drejtësia me provat e veta. SPAK deklaroi se ka arritur në përfundimin se Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me personin e paidentifikuar të dosjes në fjalë dhe s’ka asnjë fakt që të lidh tim vëlla me aktivitetin kriminal. Im vëlla u përdor si mish për top për të më goditur mua. Kjo nuk është goditja e parë e këtij lloji për mua. Më kanë bërë përdhosës të familjes sime duke më akuzuar se në gjyqin e divorcit kam akuzuar ish gruan time se djalin tim e kishte me babain tim. Divorci im s’ka pasur asnjë konflikt, ka qenë tërësisht paqësor. Katrani i madh ka prodhuar një dokument gjyqi në atë kohë. Më kanë bërë homoseksual, biseksual, por zoti më ka bërë heteroseksual. Më kanë bërë dhunues grash, edhe i nënës sime. Nëna ime e ndjerë u ndje aq e lënduar sa e çoi në gjyq katranin e madh, por ai çoi avokatët për të bërë paqe, se kështu e ka politika. Kur nëna ime nuk pranoi të tërhiqte padinë, doli edhe një gjyqtare katran që i vuri kapakun asaj dosje.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi i është përgjigjur reagimit të kryeministrit Edi Rama në lidhje me Olsi Ramën, për të cilin SPAK pushoi hetimet dhe tha se nuk ka asnjë prove që e implikon atë. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Bardhi shtron disa pyetje që sipas tij mbeten pa përgjigje dhe që vërtetojnë se nuk ka pasur asnjë hetim nga SPAK në lidhje me vëllain e kryeministrit Rama.
Reagimi i Gazment Bardhit:
Vëllai i Olsit doli sot dhe rilexoi fiks të njëjtin fjalim që mbajti kur opozita akuzonte ish-ministrin Saimir Tahiri si të përfshirë për bashkëpunim me trafikantë droge. Foli gjatë, nuk tha asgjë dhe fytyra i tregonte të kundërtën e asaj që thoshte. Foli për prova që paska gjetur SPAK që Olsi nuk ka qenë i përfshirë në Laboratorin e “Xibrakës”, por nuk përmendi çfarë konkretisht paska gjetur dhe hetuar SPAK. E vërteta është krejt e kundërt dhe sot mbeten shumë pyetje pa përgjigje që vërtetojnë që s’ka patur asnjë “hetim” të SPAK-ut për Ols Ramën! Vetëm një Prokurori ku, si rregull, anëtarët paracaktohen për t’i shërbyer pushtetit dhe jo për të zbatuar ligjin, mund të publikonte një njoftim aq qesharak dhe skandaloz me qëllim “shpërlarjen” e Ols Ramës nga dosja e Xibrakës, edhe pse vetë njofton se:
Hetimi nuk ka përfunduar!
Dosja nuk është mbyllur!
Dosja është ripezulluar!
Kjo ka ndodhur sepse prokurori i çështjes (i njëjti që gënjeu publikisht për ngjarjen e Elbasanit në 2021, se në makinën e ndaluar nuk ndodheshin materiale elektorale) “nuk ka identifikuar dot asnjë nga autorët e tjerë të veprave penale” që kanë mbetur të paidentifikuar prej 10 vitesh tashmë. Por a identifikoi prokurori i Olsit se mes këtyre të paidentifikuarve gjendet apo jo Ols Rama? Si? Çfarë provash mblodhi për këtë? Cila është foto që shoqëron raportin e grupit të vëzhgimit lidhur me personin e “pa identifikuar të moshës 45 vjeç”? Pse nuk bëhet publike foto e raportit të grupit të vëzhgimit që qytetarët të ndihmojnë me informacione “për ta identifikuar”?
Deklarata e prokurorit nuk i jep përgjigje këtyre pyetjeve, që është edhe thelbi i kërkesës për SPAK-un. Megjithatë, Prokurori është kujdesur të thotë politikisht që Ols Rama nuk rezulton i përfshirë në veprimtari të paligjshme, sepse s’ka hetuar dhe për pasojë nuk ka prova. Hetimi bëhet ekzaktësisht për të grumbulluar provat, bazuar në indiciet që prokuroria i ka patur të plota dhe të pakontestueshme. Kur prokurori nuk ka arritur të zbulojë identitetin e personave të paidentifikuar, si ka arritur në konkluzionin se vëllai i kryeministrit nuk ka qenë i përfshirë në aktivitet kriminal?! Si ka përfunduar hetimet, siç thotë në fjalinë e parë, ndërkohë që në fakt ka vendosur pezullimin e hetimeve, pra s’ka përfunduar asnjë hetim?!
Një përfundim të tillë prokurori mund të arrinte vetëm, nëse do të zbulonte se personi i paidentifikuar, për të cilin flet dosja e vetë prokurorisë, nuk është Olsi, por është Filan Fisteku. Arsyetimi “ne nuk e dimë kush është, por vëmë dorën në zjarr që s’është Olsi”, nuk është thjesht dëshmi e paaftësisë profesionale. Një rast i tillë, ndoshta unik në historinë e hetimit penal, dëshmon se presioni publik i Kryeministrit ndaj prokurorit të çështjes ka funksionuar dhe SPAK nuk ka fuqi për të hetuar Kryeministrin dhe familjen e tij. Personalisht për këtë kam qenë i qartë që ditën e parë, edhe pse, në përmbushje të funksioneve të mia si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i kam dhënë mundësi SPAK-ut të provojë para shqiptarëve se është një organ i pavarur dhe i pandikueshëm nga qeveria. Unë i kuptoj, janë të pafuqishëm, ndjehen të intimiduar nga Edi Rama, por nuk kanë asnjë arsye të bëhen qesharak!
Për të treguar cilësinë e hetimit që (s)ka bërë dot prokurori, po paraqes disa fakte dhe pyetje të thjeshta:
Fakti 1. Olsi Rama, bashkë me krerët e organizatës së kokainës, kanë përdorur të njëjtën makinë me targa AA653DM për të kaluar 18 herë kufirin në kohën ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakës. Kjo provohet nga të dhënat zyrtare të sistemit TIMS.
Pyetje 1 për Edi Ramën dhe SPAK: Çfarë e lidh Ols Ramën me krerët e narko-organizatës dhe me makinën e trafikut?
Fakti 2. Nga 18 hyrje-daljet e makinës me targa AA653DM të grupit kriminal, 7 prej tyre i përkasin Olsi Ramës. Kjo provohet nga të dhënat zyrtare të sistemit TIMS.
Pyetje 2 për Edi Ramën dhe SPAK: Pse ka përdorur në të njëjtën kohë, të njëjtën makinë, Ols Rama dhe trafikantët e dënuar të Xibrakës?
Fakti 3. Policia dhe prokuroria nuk ka identifikuar një përdorues të makinës me targa AA653DM, edhe pse i ka identifikuar moshën 45 vjeç. Ols Rama është përdorues i kësaj makine dhe në atë periudhë ka qenë fiks 45 vjeç.
Pyetje 3 për Edi Ramën dhe SPAK: A keni kërkuar informacion nga Policia e Shtetit për pamundësinë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe sesi kanë arritur të identifikojnë moshën fikse të personit (45 vjeç), pa ditur identitetin e tij?
Fakt 4. Ditën e arratisjes së Genci Xhixhos, Ols Rama ka kaluar kufirin me makinë, por pa e regjistruar automjetin. Kjo provohet nga të dhënat zyrtare të sistemit TIMS.
Pyetje 4 për Edi Ramën dhe SPAK: Pse nuk është regjistruar automjeti i Ols Ramës?
Fakt 5. Kjo dosje e ka fillesën nga hetimet e prokurorisë së Hanoverit, ndërkohë SPAK deklaron se ka bashkëpunuar vetëm me autoritetet e Kosovës.
Pyetje 5 për Edi Ramën dhe SPAK: Pse nuk bashkëpunuat edhe me prokurorinë/policinë e Hanoverit, Gjermani, si autoriteti që disponon të dhënat fillestare dhe përgjimet e grupit?
Fakt 6. Ols Rama ka pranuar publikisht se e ka përdorur narkomakinën dhe njeh njërin nga narkotrafikantët.
Pyetje 6 për Edi Ramën dhe SPAK: Kë nga narkotrafikantët njeh Ols Rama dhe në pse genjeu që e ka përdorur vetëm një herë automjetin, kur të dhënat e TIMS provojnë e ka përdorur të paktën 7 herë?
Fakt 7. Në seancën e datës 4 Prill 2024, Ministri i Brendshëm i kohës, Taulant Balla, ka informuar seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, se është në dijeni se kush është një nga personat e paidentifikuar, me moshë 45 vjeç.
Pyetje 7 për Edi Ramën dhr SPAK: A e kanë pyetur Ministrin e Brendshëm për atë që ka deklaruar zyrtarisht në Kuvend që di dhe nëse ai zyrtarisht e ka kallëzuar krimin për të cilin ka dijeni në SPAK?
Përgjigja për pyetjen e fundit është publike, as është thirrur dhe as ka kallëzuar. Tani pyetja bëhet edhe më e thjeshtë: Si është e mundur që nuk është thirrur për t’u pyetur Taulant Balla, i cili, në 4 Prill 2024, si Ministër i Brendshëm, deklaroi në seancë plenare se e dinte kush ishte personi i paidentifikuar? Kaq mjafton për të kuptuar se prokurori, siç e ka zakon, nuk ka pasur për qëllim zbardhjen e së vërtetës, por nxitimin për të amnistuar krimin. Por nga kjo të paktën u provua në mënyrë të pakontestueshme ajo që të gjithë dinim: vëllezërit Edi dhe Ols Rama janë të paprekshëm! Faleminderit që na e konfirmuat, edhe pse me koston tuaj për t’u bërë qesharak! Këtë të fundit mund të na e kursenit. Në fund, po ju shfaq një video bashkëlidhur, se ndoshta ju duhet për arkivë: Ministri i Brendshëm i kohës, që ka në varësi Policinë, informon Kuvendin e Shqipërisë që e di kush është “personi i paidentifikuar”. Si ka mundësi që ai e di dhe SPAK nuk e di. Pse nuk ka guxim ta pyes SPAK? Çfarë po përpiqet të fshehet?
Opozita e ka përmendur shpesh emrin e vëllait të kryeministrit Rama për përfshirje në rastin e “Xibrakës”. Por ishte deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ai që kërkoi nga SPAK të rihapë hetimet për Olsi Ramën, dhe rolin e tij në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Olsi Rama u kundërpërgjigj duke thënë se do të padiste për kallëzim të rremë Bardhin. Por siç zbuloi kryeministri Edi Rama, Bardhi nuk kishte bërë kallëzim për Olsi Ramën në SPAK, por vetëm kishte dorëzuar indicie për nisje të hetimit./ZËRI