
PEQIN- Banorët e fshatit Gryksh në Peqin, kanë protestuar ndaj projektit të autostradës, Elbasan-Lekaj, pasi mungon një nënkalim që t’i mundësoj atyre lidhje me pjesën tjetër të zonës. Sipas banorëve ka vështirësi në qarkullim, pasi nuk ka një infrastrukturë lidhëse duke i izoluar ata. Banorët shprehen se nëse në projekt nuk do të krijohet një rrugë për ta, kjo do të krijojë probleme të thella për jetesën dhe zhvillimin e zonës.
Në protestë mori pjesë edhe Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, Tomorr Alizoti, i cili shprehu shqetësimin për izolimin e fshatit Gryksh i Madh që sjell zgjerimi i aksit Lekaj-Elbasan.
Ndërkohë kreu i PD Peqin, Mustafa Pashja duke mbështetur protestën u bashkua me shqetësimin e tyre, një shqetësim ky mjaft i madh për 1200 banorë të cilëve u privohet e drejta për të marrë shërbimet e domosdoshme të përditshme që i kanë pronat dhe shtëpitë në anën tjetër të rrugës. Në këtë fshat duhet me patjetër një nënkalim për të bërë të mundur marrjen e këtyre shërbimeve. /ZËRI