
TIRANË- Opozita kërkon shtyrjen e punimeve në Komisionin Hetimor për shërbimet publike të Sterilizimit dhe të 'Check-up'. Duke marrë parasysh se afati është deri të enjten, më 14 nëntor, por ka ende shumë dëshmitarë që janë kërkuar dhe ende nuk janë marrë në pyetje, opozita kërkon shtyrje deri në 15 dhjetor. Edhe sot, njëjtë si dje, opozita kërkon që të marrë në pyetje kryeministrin Edi Rama dhe biznesmenen Vilma Nushi. Edhe sot, maxhoranca nuk ka ndryshuar qëndrim dhe është shprehur hapur kundër kërkesës së opozitës. Por, kryetarja e Komisionit Albana Vokshi e ka bërë "fakt të kryer" dhe ka lajmëruar se kërkesën për shtyrjen e punimeve e ka dërguar në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend. Madje shtoi se shtyrjen do ta kërkojë pa afat tashmë, pasi i druhet faktit se personat që do të thirren për të dëshmuar, mund të presin përfundimin e afatit për t'ju shmangur Komisionit Hetimor.
DEBATI NË SALLË:
Plarent Ndreca: Vlerësoj që nuk ka më vend, kemi kryer hetim, kemi marrë shkresa e dokumente, kemi thirrur dëshmitarë, është numër shumë i madh dëshmitarësh. Kemi sot dëshmitarin kryesor, zoti Beqaj, i cili më shumë se kushdo tjetër do të japë të dhëna dhe dëshmi mbi procedurat që kemi si objekt hetimor, ndaj duhet të vijojmë pa humbur kohë me Beqajn.
Albana Vokshi: Beqja është një prej dëshmitarëve, jo kryesor, çdo dëshmitar ka vlerën e tij. Të vijë edhe Vilma Nushi. E lëshuat edhe Ilir Beqajn, Edi Rama lëshoi edhe hajdutin dymetrosh, po vetëm Vilma Nushin nuk po lëshon. Nuk bëjmë hap pas, konsiderojmë kyç dëshminë e Edi Ramës dhe Vilma Nushit.
Ilir Metaj: Harxhuam 2 orë kohë dje për të vonuar rendin e ditës dhe mesa duket këtë skenar keni edhe sot. Keni kërkuar shtyrjen për të disatën herë. Mbase keni vendosur të zgjasni komisionin edhe që të harroni për çfarë jeni mbledhur. Mbase doni të jeni këtu edhe në mandatin e 10 në opozitë. Nuk kemi faj ne që kohën për punë ju e konsumoni duke djegur karrige.
Albana Vokshi: Deklaratat politike bëji në Surrel. Fol për procedurë, për mandatet shko te PS apo në Surrel. Futu direkt në rolin që të kanë dhënë, aman
Ilir Metaj: Thuaj edhe një herë aman, do e thuash edhe një herë? Nëse doni leksione si fitohen zgjedhjet dhe si ndërtohet një shtet, mbase gjen kohë në axhendë të planifikojë një seminar workshop me ju. Të mos humbim kohë e të kalojmë në rendin e ditës.
Saimir Korreshi: Dua ca leksione si ta kemi krimin e organizuar nga Rama, si vidhen kaq lekë nga buxheti i shtetit, si rrihet duke ngrënë dardha pas ose të thotë jam frikacak e nuk ma mban prapanica të vi në komision./ZËRI