TIRANË-Seanca plenare e Kuvendit po zhvillohet mes debateve, ku mazhoranca dhe opozita janë përplasur për Reformën Territoriale. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Territoriale nuk janë dakortësuar për zgjartjen e afatit dhe në datë 23 korrik duhet të prezantohen dy raportet, ai i PD dhe ai i PS.
Nga ana tjetër kryetari i PD, Sali Berisha tha se PS synon të zhdukë 20 bashki dhe se sipas tij, Edi Rama urdhëroi deputetët që të vijojnë punën të vetëm pa opozitën.
Taulant Balla: Komisioni i Territoriales ka bërë punë të lavdërueshme, është punuar për muaj dhe jemi në momentin që në Konferencën e Kryetarëve se ju e keni parlamentin si shkollë nate, ikni e vini kur të doni, kemi pasur një diskutim të qenësishëm javën e kaluar, nuk pati një kërkesë të dakordësuar nga bashkëëkryetarët për zgjatjen e afatit. Personi që sapo gënjeu këtu, në komisionin tjetër Bylykbashi dhe Gjiknuri sollën kërkesën. Komisioni nuk solli kërkesë, e ka mbaruar afatin. Sillni ju raportin tuaj, Mazniku dhe deputetët e PS të sjellin raportin e tyre. Në datë 23 nuk do të ketë votim, por raportim që mbi bazën e tij ka një proces që i përfshin komunitetet.
Sali Berisha: Boçi ka bërë përpjekjet më maksimale direkt me Maznikun, apo pengun, edhe me përfaqësues të tjerë që janë të angazhuar të mbështesin këtë proces. E vërteta është se pati një ujdi mes tyre për të zgjatur afatin e komisionit, sikundër kushti për të marrë ekspertizën e Kongresit të Autoriteve Rajonale të KiE është për ne i panegociueshëm dhe është rënë dakord që në fillim. Ishte Rama që urdhëroi pengun e tij të veprojë në mënyrë të njëanshme. Projekti i diskutuar nga ju, shkurton 20 bashki të shpërndara në gjithë vendin, nga Kruja deri në Konispol.