TIRANË-Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale u mblodh sot për të diskutuar mbi ecurinë e punës. Bashkëkryetari i Komisionit Luçiano Boçi, kritikoi mënyrën sesi mazhoranca po përpiqet të përshpejtojë procesin, duke anashkaluar disa prej etapave të miratuara në projektkalendarin e punës.
Boçi ngriti pikëpyetje mbi punën e ekspertëve të mazhorancës për një model të ri territorial, në një kohë kur sipas tij Komisioni ende nuk ka miratuar parimet dhe metodologjinë mbi të cilat duhet të bazohet reforma.
“Ne e ftojmë Komisionin të respektojë veten dhe vendimet që ka miratuar. Kemi një projektkalendar dhe nuk mund të digjen etapat e përcaktuara në të. Si mund të kenë punuar ekspertët e mazhorancës për Reformën Administrativo-Territoriale 2, kur ende nuk kemi përcaktuar parimet e saj?"-u shpreh Boçi.
Deputeti kërkoi shtyrjen e afatit të Komisionit deri në muajin tetor, me qëllim që puna të përfundojë në mënyrë serioze dhe të respektohen edhe afatet kushtetuese për ndryshimet ligjore. Sipas tij, dëgjesat e zhvilluara deri tani kanë treguar se propozimi për reduktimin e numrit të bashkive nuk gëzon mbështetje të gjerë.
"Ne nuk po imponojmë mendimin tonë. Po kërkojmë vetëm respektimin e rendit të ditës dhe të projektkalendarit që është miratuar me votë nga vetë Komisioni. Pretendoni që e kemi vonuar ne, hap emailet, nëse unë e kam kundërshtuar mbledhjet, nxirri këtu. Vonesat mes dëgjesave, nuk kanë ardhur prej nesh. Kemi pritur 5 javë që në dëgjesën e Korcës të vinte kryetari i Kuvendit, nuk erdhi dhe dëgjesa u bë me vonesë, për Bashkinë e Tiranës, pritëm kaq kohë se nuk vinte kryetarja e komanduar, ju e shtytë, me qarkun e Tiranës nuk është bërë vonesë”, theksoi Boçi.
Ndërkohë lidhur me kërkesën e opozitës për shtyrjen e punimeve të Komisionit, bashkëkryetari socialist Arbjan Mazniku theksoi se axhenda dhe kalendari i punës së komisionit janë propozuar me data dhe afate të përcaktuara, ndërsa theksoi se procesi është penguar me qëllim nga ana e opozitës. Mazniku tha gjithashtu se gjatë këtyre nëntë muajve nga konstituimi i komisionit, opozita ka pasur qasje për shtyrjen e afateve në mënyrë të vijueshme, ndërsa mazhoranca ka qenë e hapur për të akomoduar kërkesat e saj.
"Po, axhendën e kemi propozuar ne. Kemi propozuar axhendën dhe kalendarin e punës, me kolona, data dhe afate të përcaktuara. Ajo që na ka karakterizuar në mënyrë konstante ka qenë një axhendë e qartë nga ana e opozitës për të djegur afatet e vendosura. Që nga data e konstituimit kanë kaluar 9 muaj. Ka pasur raste kur është thënë: 'Jo këtë javë, sepse kemi protestë.' Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për të akomoduar çdo kërkesë të opozitës. Mazhoranca ka qenë shumë transparente dhe ka përgjegjësinë, si edhe barrën qeverisëse. Axhenda, në mënyrë sistematike, është penguar nga opozita. Duhej të kishim zhvilluar shumë më tepër takime dhe të kishim përfunduar dëgjesat tematike, por kjo është pamundësuar për shkak të mungesës së gatishmërisë për të zhvilluar mbledhje nga ana juaj", theksoi Mazniku.
Mazniku ka propozuar që përpara seancës plenare të datës 23, ku do të bëhet një raport për punën e Komisionit, të dëgjohen konkluzionet e ekspertëve, të cilët kanë dalë me 2 raporte.