TIRANË- Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ka përfunduar pa dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës për kalendarin e punës së Kuvendit. Opozita ka kundërshtuar përfshirjen e Reformës Territoriale në kalendar.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u shpreh kundër projektligjit në kalendar, me argumentin se konsultimet për këtë proces ende nuk kanë përfunduar. Sipas Bardhit, një reformë kaq e rëndësishme nuk mund të kalojë pa konsensusin e saj dhe kërkon që të hiqet nga projektkalendari.
“Partia Demokratike është kundër këtij kalendari që keni paraqitur. Ju keni përfshirë për diskutim projektligjin për Reformën Territoriale. Kjo është një çështje e papranueshme për shumë faktorë. Së pari, nuk mund të kaloni një reformë kaq të rëndësishme pa konsensusin e opozitës. Gjithashtu, ju zhvilluat një proces tallës me shqiptarët. Ngritët një komision, ndërkohë që ndarjen e kishit në tavolinë dhe e kishit të gatshme. Sot e sillni këtë çështje këtu, të përfshirë në kalendar. Edhe ajo që po bëni sot është një tallje dhe shkelje e Kushtetutës, pasi aktualisht ka një proces konsultimi publik, ndërsa ju parashikoni diskutimin e projektligjit në komisione. Prandaj, ne jemi kundër”, tha kreu i grupit të PD, për Gazment Bardhin.
Pas mungesës së dakordësisë në Konferencën e Kryetarëve, vendimmarrja për kalendarin e punës së Kuvendit pritet të merret në seancën plenare të së enjtes, ndërsa drafti i përgatitur nga Komisioni i Ligjeve mbetet për momentin pezull.
Reforma Territoriale vijon të përplasë mazhorancën me opozitën, teksa palët mbajnë qëndrime të kundërta dhe kanë paraqitur propozime të ndryshme për ndarjen e bashkive. Drafti i shumicës parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, ndërsa PD kërkon tërheqjen e projektit dhe propozon 100 bashki./ZËRI