
ELBASAN- Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet në lidhje me denoncimin e Partisë Demokratike për manipulim të votave në fshatin Pekisht. Prokuroria thotë se nga verifikimi i kryer nga zyra e regjistrit, rezulton të jetë regjistruar procedimi penal Nr. 522 datë 26.05.2025, për veprën penale të ‘Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve’, parashikuar nga neni 326 I Kodit Penal’.
"Në përgjigje të kërkesës suaj të protokolluar pranë nesh me Nr.5470, datë 26.05.2025, lidhur me informacionin e kërkuar për ngjarjen e datës 22.05.2025 të ndodhur në fshatin Pekisht Peqin, ju bëjme me dije se: Nga verifikimi i kryer nga zyra e regjistrit rezulton të jetë regjistruar procedimi penal Nr.522 datë 26.05.2025, për veprën penale të “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjadhjeve” të parashikuar nga neni 326 i Kodit Penal. Aktualisht ky procedim ndodhet në fazë hetimi. Duke ju falenderuar,”– thuhet në përgjigje.

Vendimi vjen pas denoncimit të Sali Berishës, i cili tha se në Elbasan është përdorur ‘skema e trenit bullgar’. Partia Demokratike kërkoi një hetim ndërkombëtar në lidhje me materialet zgjedhore të sekuestruara në Peqin. Dervish Beqirit iu gjetën dhe sekuestruan 10 fletë votimi, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve. Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar pretendimet e Partisë Demokratike për “një rast masiv” të trenit bullgar në Peqin. Në shkresën që KQZ i ka dërguar përfaqësuesit ligjor të PD-ADSHM, Franc Nuri, mbi kërkesën për ekspertim të datës 23 maj, thuhet qartë se asnjë fletë votimi zyrtare e KQZ-së nuk ka dalë jashtë qendrës së votimit nr. 45 Peqin./ZËRI