Politikë

Trump do heqë sanksionin? SHBA 'mesazh' Berishës: S'angazhohemi me “non gratat”, duhet opozitë e shëndetshme

Sot, në një reagim që ka bërë e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn, shkruhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do vazhdojnë që t'i qëndrojnë pozicionit që kanë mbajtur deri më tani për personat e përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor.

k.m.
Trump do heqë sanksionin? SHBA 'mesazh' Berishës:
Nancy VanHorn dhe Sali Berisha

TIRANË- Ambasada amerikane ka bërë reagimin e parë pas deklaratave të shumta të kryedemokratit Sali Berisha, i cili është shprehur i bindur se administrata e re e Donald Trump do t'i heqë "non gratën". Sot, në një reagim që ka bërë e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn, shkruhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do vazhdojnë që t'i qëndrojnë pozicionit që kanë mbajtur deri më tani për personat e përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor. E pikërisht, Berisha është sanksionuar nga SHBA për të njëjtën gjë.

Edhe pse nuk e përmendi me emër, VanHorn duket se i referohej pikërisht Berishës për shkak se i gjithë postimi i bërë në faqen e Ambasadës ishte i "dedikuar" për opozitën. Ndër të tjera, e ngarkuara me punë në Shqipëri u shpreh se kishte takuar shumë figura të opozitës që i kishin shprehur shqetësimet e tyre për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Mesazhin e saj, ajo e mbylli me një thirrje për një proces politik, të barabartë për të gjithë.

Një opozitë e shëndetshme është pjesë me rëndësi kritike e një demokracie të gjallë. I vlerësoj mundësitë që kam pasur muajt e fundit për t'u takuar me përfaqësues të ndryshëm të opozitës për të dëgjuar një larmi këndvështrimesh mbi sfidat me të cilat përballet populli shqiptar, shqetësimet për mjedisin e ardhshëm zgjedhor dhe sesi Shqipëria mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë. Nxis të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në një proces politik që është i barabartë për të gjithë. Ne i qëndrojmë pozicionit tonë të kahershëm se nuk angazhohemi me individë të përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor,” - E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn.

POSTIMI I PLOTË:

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall non-grata në vitin 2021 nga Departamenti Amerikan i Shtetit bashkë me familjen e tij. Lajmi u dha nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili njoftoi zyrtarisht se Berisha ka minuar demokracinë dhe se gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit është përfshirë në afera korruptive dhe ka pasuruar aleatët e tij politikë. Po i njëjti vendim u ndoq gati një vit më pas nga ana e Britanisë së Madhe. Por rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka ngjallur shpresë tek Sali Berisha, për të hequr njollën e non grata-s amerikane.

Në të gjitha daljet e tij publike që është pyetur, Berisha është shprehur se shpreson shumë se me marrjen e detyrës nga administrata e re amerikane, në Janar 2025, presidenti i ri Donald Trump do të shqyrtojë shpalljen e tij non-grata. Por deri më tani, ky ishte sinjali i vetëm që ka ardhur nga SHBA dhe DASH. Ndërkohë ende është e paqartë se çfarë ka ndodhur me procesin gjyqësor që kryedemokrati hapi ndaj Blinken në Francë. Herën e fundit që Berisha u prononcua për çështjen tha se padia e tij ishte regjistruar, por që nga ai moment, nuk ka asnjë të dhënë tjetër./ZËRI

Poll

MOS HUMB