
TIRANË- Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha gjatë mbrëmjes së djeshme ka vizituar 10 efektivët që u plagosën gjatë protestës së Partisë Demokratike. Pasi turma hodhi bomba molotov drejt instuticioneve dhe u përplasen me policinë.
Ai dënoi dhunën që ndodhi ndaj policëve, teksa shtoi se edhe pse u provokuan, ata sërish vepruan me profesionalizëm. Më tej, Hoxha shtoi se çdo protestues që është përfshirë në akte të paligjshme do të përballet me drejtësinë.
“Ata, të cilët e orkestruan shfaqjen e shëmtuar të mbrëmjes së sotme në rrugët e Tiranës, kanë shkuar tanimë pranë familjeve të tyre. Ndërsa ata, që fatkeqësisht nuk kthehen dot sonte pranë familjes janë tre efektivë policie, të cilët janë plagosur dhe do të qëndrojnë në spital, për të vetmen arsye se ishin në krye të detyrës.
I falënderova efektivët dhe u urova kthim sa më të shpejtë në shtëpi. I falënderoj edhe njëherë të gjithë punonjësit e Policisë që u provokuan, goditën dhe madje u lënduan, por treguan profesionalizmin dhe maturinë e një trupe që reagon vetëm proporcionalisht, si një trupë evropiane e një shteti evropian.
Sot ata kishin përballë një turme të çoroditur nga një motivim politik absurd, ku një pjesë individësh kapërcyen vijën e ligjit me akte të dënueshme. U bllokua deri edhe rruga e autoambulancës, apo u sulmua si kurrë në ndonjë vend demokratik selia e një partie politike kundërshtare (përveç përsëritjeve klasike të sulmeve qorre mbi muret e institucioneve qendrore apo zjarrvënies së pemëve të “qeverisë” që nuk munguan edhe sonte).
Por pavarësisht absurditetit të shfaqjes së sotme të një “mosbindjeje civile”, që fyen inteligjencën e çdo qytetari të këtij vendi, Policia e Shtetit e kreu detyrën konform praktikave më të mira demokratike. Orkestruesit e kësaj shfaqjeje jocivile sonte do të flenë në shtëpitë e tyre dhe nuk do ta prishin gjumin, as për të çoroditurit nga blofi i “mosbindjes civile” që natën do ta kalojnë si persona në kërkim për aktet e tyre të paligjshme.
Çdo akt është i dokumentuar dhe çdo autor aktesh antiligjore është tanimë subjekt i organeve ligjzbatuese. I garantoj qytetarët e këtij vendi se blofi i mosbindjes civile nuk do të prodhojë asgjë tjetër, përveç përgjigjes proporcionale dhe shteruese të ruajtësve të ligjit ndaj shkelësve të ligjit", shkruan ministri.
Për katër orë me radhë demokratët e mbështetur nga deputetët e Partisë Demokratike kanë marshuar në të gjitha akset kryesore të Tiranës. Tensionet nisën që para Kryeministrisë, për të vijuar më pas tek Selia e Partisë Socialiste, Ministria e Brendshme dhe Bashkia e Tiranës. Të katër godinave iu vu zjarri që u shua më pas nga efektivët e Policisë që ishin në gadishmëri. Policia ka përdorur dhe gaz lotsjellësh për të distancuar protestuesit. Në protestë nuk pati fjalime, ndërsa protestuesit u prinë nga Gazment Bardhi, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Luçiano Boçi. I pranishëm ishin dhe Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta e Monika Kryemadhi, por të ndarë. Deri më tani raportohet se ka dhjetëra efektivë e qytetarë të lënduar. /ZËRI