TIRANË- Kuvendi ka nisur këtë të martë seancën plenare, ku ndër të tjera është bërë me dije edhe një ndryshim në përbërjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi në nisje seancës se deputetja Marjana Koçeku është larguar nga detyra si anëtare e këtij komiteti, ndërsa në vend të saj është caktuar deputeti Erion Malaj.
“Në Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asociimin, deputetja Marjana Koçeku largohet si anëtare dhe caktohet deputeti Erion Malaj”, u shpreh Peleshi.
Më 14 qershor Koçeku njoftoi papritur largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke deklaruar se do të jetë deputete e pavarur. Ajo arsyetoi se idealet dhe vlerat e saj, janë ato që i ka pasur para se të bashkohej me një parti politike dhe që i diktojnë edhe kufijtë, duke lënë të kuptohet një përplasje me liderin e PS, Edi Rama. Marjana Koçeku ishte një ndër emrat risi që PS solli në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Ajo u zgjodh automatikisht deputete, pasi udhëhiqte listën e mbyllur të socialistëve në qarkun e Shkodrës. Pas largimit, ajo ka njoftuar mbështetjen për protestën e Flamingove, një lëvizje qytetare që kërkon largimin e klasës aktuale politike./ZËRI