Politikë

Veliaj e shkarkoi, Anuela Ristani: Largohem pas 11 vitesh, koha, gjykatësi më i drejtë! Do të mbetem gjithmonë “xhomllikse”

Ristani me anë të një postimi në rrjete shkruan se largohet me krenari nga Bashkia e Tiranës.

F.I
Veliaj e shkarkoi, Anuela Ristani: Largohem pas 11 vitesh, koha, gjykatësi
Anuela Ristani-bashkia tirane

TIRANË-Anuela Ristani ka reaguar pas vendimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili nga qelia vendosi ta shkarkojë nga detyra e kryetares së komanduar. Ristani me anë të një postimi në rrjete ka njoftuar largimin e saj nga Bashkia e Tiranës si nënkryetare. Ristani shpreh mirënjohjen për Tiranën dhe qytetarët, ndërsa theskon ndryshimet në kryeqytet, veçanërisht sheshin “Skënderbej“. 

Anulea Ristani: Pas më shumë se një dekade në shërbim të qytetit më të bukur në botë, largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën. Atë që të gjithë e lakmojnë, shumë e duan, por pak e kuptojnë. Qyteti për të cilin fillova të punoj 11 vite më parë, kur kaloja distancën e shkurtër por të gjatë të sheshit “Skënderbej“ që vetëm shesh nuk mund të quhej, është sot pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, që nuk dinë t’i vënë tamam një emër joshjes që ndjejnë, pasi pika më e fortë e Tiranës është ndjesia e mirë që të jep.

Jam pa masë mirënjohëse për të gjithë bashkëudhëtarët e kësaj përvoje të papërsëritshme, dhe për qytetarët që thyen paragjykime shekullore dhe stereotipe brezash për t’u shfaqur të bukur dhe krenarë në të gjithë botën. Koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm. Në respekt të kohës, asaj që do të vijë, lipset që qytetin ta shohim pak më tonin e ta duam për atë që jemi, jo për atë që mund të na bëjë. Dhe sa për mua, unë do të mbetem gjithmonë “xhomllikse” edhe pse kam lindur në Tiranë të Re dhe jam rritur përtej oqeanit. Largohem sot me mbështetjen dhe dashurinë e atyre që për mua kanë më shumë rëndësi. Faleminderit të gjithëve!

Shkarkimi i Anuela Ristanit nga Erion Veliaj u raportua më 28 gusht. Në vendim argumentohej se Ristani kishte refuzuar zbatimin e urdhrave të kryebashkiakut dhe gjatë detyrës së saj është kthyer në një pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të Veliajt, pasi sipas tij ka munguar koordinimi institucional, moszbatim të vendimeve gjyqësore dhe refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit të Bashkisë. Nga 28 gushti në Bashkinë e Tiranës nuk ka një drejtues të deleguar që të qëndrojë në krye të punëve, teksa kryebashkiaku Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025./ZËRI

Poll

MOS HUMB