Politikë

Vota e diasporës, KQZ: Mbi 11 mijë aplikime në tre ditë, kryesojnë moshat e reja

Kryesisht aplikimet në PER janë nga moshat e reja, 25-35 vjeç.

F.I
Vota e diasporës,  KQZ: Mbi 11 mijë aplikime në tre ditë,
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Më 11 janar ka nisur dhe procesi i regjistrimit të tyre përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), proces i cili zgjat deri në 4 mars. Në të dhënat e fundit të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri tani janë regjistruar 11973 aplikime, ndërsa janë miratuar vetëm 1717 prej tyre, pjesa tjetër janë ende në proces shqyrtimi.

Në aplikime dominonin me meshkujt, me 8388, ndërsa nga femrat janë regjistruar 3585 aplikime. Kryesisht aplikimet në PER janë nga moshat e reja, 25-35 vjeç. Një staf i KQZ-së, punon me 3 turne për t’u përgjigjur kërkesave, duke i informuar shqiptarët për kalimin me sukses, apo refuzimin e aplikimit të tyre. Në rast refuzimi, zgjedhësi do të informohet se çfarë ka bërë gabim, dhe do t’i jepet mundësia të aplikojë përsëri. 

“KQZ Shqipëri nxit të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të votojnë nga jashtë të regjistrohen sa më parë për të marrë pjesë në Zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025. Shpërndani linkun që të aplikojnë edhe miqtë dhe të afërmit tuaj. Regjistrimi është i lehtë dhe i shpejtë. Vizitoni diaspora.kqz.gov.al dhe mos e humbni këtë mundësi unike për të shkruar historinë bashkë. Vota jote, zëri yt për Shqipërinë! Voto për zgjedhjet e 11 majit! Shkarkoni aplikacionin mobile KQZ për Android dhe IOS, ose vizitoni www.kqz.gov.al (rubrika Votues nga Jashtë) për të marrë të gjitha informacionet se si mund të votoni nga jashtë territorit të Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2025”,- shkruan kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në “Facebook”.

Emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve do të kenë mundësi për herë të parë të votojnë për zgjedhjet parlamentare pa qenë e nevojshme të vijnë fizikisht në Shqipëri. Në Platformën Elektronike të Regjistrimit janë regjistruar emigrantë nga 28 vende në botë. Për t'u regjistruar duhet të futeni në faqen e KQZ-së dhe të klikojnë në seksionin “votues nga jashtë”. Pasi të klikojnë duhet që të vazhdojnë me procedurat dhe kërkesat e Komisionit të Zgjedhjeve.

Pasi aplikimi të ketë përfunduar, brenda 5 ditëve, KQZ u kthen përgjigje brenda 5 ditëve duke njoftuar nëse aplikimi i tyre është pranuar, ose jo. Nëse aplikimi është i suksesshëm, KQZ do t'u dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë. Pasi vullneti të jetë nënshkruar në letër, fleta e votimit do të kthehet sërish me postë në Shqipëri për t'u numëruar më 11 maj./ZËRI

Poll

MOS HUMB