
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e sotme takimin me emigrantët shqiptarë në Milano duke u kërkuar votën si votues nga diaspora. Në nisje të takimit, Rama u suprizua nga ish-mesfushori i kombëtares italiane dhe Juventusit, Alessio Tacchinardi, i cili i dhuroi një fanellë të klubit të zemrës së kreut të qeverisë. Më pas, si në çdo takim, i pari i socialistëve mbajti një fjalim duke u shprehur se vota e shqiptarëve nuk duhet të ndikohet nga ndasitë politike, por duhet të unifikohet në drejtim të Partisë Socialiste.
Për të, shqiptarët duhet që të votojnë Partinë Socialiste për një mandat të katërt për të futur Shqipërinë në Bashkimin Europian.
“Pikërisht tani, shqiptarët nuk duhet ta humbasin këtë shans që është një takim me historinë. Dhe nuk mund ta humbasim as për mustaqet e Kujtim Gjuzit, e as për hallin personal të “bufit të kënetës” që fshihet nën mustaqet e Kujtim Gjuzit. Prandaj, sot është dita që çdo shqiptare e çdo shqiptar, çdo prind që jeton në Shqipëri, Itali apo gjetkë, dhe që do t’u lërë fëmijëve të vet diçka të madhe, diçka të jashtëzakonshme, diçka që juve ju ka munguar: një mundësi për ta bërë realitet ëndrrën e madhe, duke tejkaluar të gjitha ndasitë partiake, të gjitha llogoret dhe barrikadat, të gjitha hendekët dhe sherret, për ta bashkuar Shqipërinë e të gjithëve, të socialistëve dhe demokratëve, në sofrën e Bashkimit Europian. Sapo të vetëdijësohemi për fatin që na është dhënë, si një zog në dorë, aq më e sigurt është që me duart tona do t’i japim fund historisë së një populli të trajtuar si popull i dorës së dytë. Do t’i japim fund përçmimit dhe përjashtimit nga fati ynë europian dhe do t’u lëmë brezave tanë një vend të drejtë në Bashkimin Europian,”-tha Rama ndër të tjera në fjalën e tij.
Një mesazh e dha edhe për demokratët: U them të gjithë demokratëve, nuk ju mjafton ajo që ndodhi me primaret, primaret ku bufi i nxorri të gjithë dhe iu tha “vota juaj asht ligj për mue” dhe ça ndodhi? Kush doli i pari në primare, përfundoi thellë në barkun e bufit. U zhduk. I kullufiti të gjithë. Asnjërin nuk la, as nuk i tha “dilni t’ju shoh një herë se kush nga ju ka vërtetë vota që ta ha’’.
Ndër të tjera në fjalën e tij, Rama nuk komentoi vetëm partinë më të madhe opozitare në vend, por edhe partitë e vogla. Edhe njëherë, i pari i qeverisë ironizoi premtimet dhe programet e tyre elektorale, duke shtuar se e vetmja rrugë është Partia Socialiste.
“Janë edhe ca të tjerë që vijnë vërdallë këtu në Itali. Kanë dhe ca emra, jo bëhet, jo s’bëhet, jo mundet, jo s’mundet, jo bashkë, jo veç… Ata nuk kanë asgjë të re përveç moshës, se ata vendosin në lista baxhanakë e familjarë. Dihet që ai që s’ka gjë në dorë të fal dhe Milanon. Ta çosh votën për ata, është ta çosh dëm,”-shtoi Rama.
Ndërkohë që Rama mbajti një takim në Milano, në rajonin e Lombardisë ndohet edhe kryedemokrati Sali Berisha, i cili po zhvillon një takim me demokratët në Brescia./ZËRI