TIRANË-Sipas të dhënave të raportuara nga KQZ 241,650 zarfe me fletët e votimit për 11 majin janë dërguar në diasporë. Në faqen online të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, theksohet se deri më tani nga të gjitha zarfet e dërguara janë marrë nga emigrantët 58,128 zarfe gjithsej.
Deri tani janë dërguar fletët e votimit për bashkatdhetarë nga 10 qarqe të vendit, për shtetasit shqiptarë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës. Numri më i madh i fletëve të votimit të shpërndara i përket qarkut të Tiranës me 51.520, Fierit 31.752, Elbasanit 25.022, Durrësit 24.872 e më pas në qarqe të tjera. Të ndara sipas shteteve, janë dërguar në Itali 89 723 zarfe, në Greqi 67 165, në Gjermani 25 062, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 20 274, në Mbretërinë e Bashkuar 16 913 etj.
Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme./ZËRI