
TIRANË- Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, drejtuese politike e qarkut të Tiranës për Partinë Socialiste prezantoi skuadrën me 49 emra kandidatësh. I pari në listë është kryeministri Edi Rama, i cili po në Tiranë do të ketë përballë kryedemokratin Sali Berisha. Edhe pse pak ditë më parë la të kuptohet se vetë edhe mund të mos garojë për deputet, duket se në momentin e fundit i pari i qeverisë ka ndryshuar mendim dhe do të garojë.
Në zgjedhjet e shkuara, Rama ka marrë mandat në Vlorë dhe në Durrës, ndërsa këto zgjedhje kishte në plan për të garuar në Shkodër, duke qenë se socialistët morën bashkinë për herë të parë që nga rënia e diktaturës. Por duket se arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë Ramën që të ndryshojë planet e tij./ZËRI